
DURRËS- Një operacion i ndërmarrë me urdhër të SPAK në Durrës ka çuar në pranga disa persona, përfshirë ish-punonjës policie, por edhe personazhe të njohur të botës së krimit. Në pranga ka rënë dhe Kep Arapi, i njohur dhe si i forti i Sukthit. Mësohet se Kep Arapi është personi që ka dalë në përgjimet e SKY ECC duke biseduar me Dedan Gjonin, ku porositej një vrasje në qytetin e Shijakut.
Burime bëjnë me dije për Zërin se operacioni në qytetin e Durrësit dhe në rrethinat e tij është ende në vijim. SPAK ka shmangur bashkëpunimin me policinë lokale në Durrës, dhe për arrestimet është marrë mbështetje nga efektivë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë.
Veç Kep Arapit, në pranga ka rënë dhe nipi i tij.
Në përgjimet e reja të SPAK, del edhe ish-shefi i krimeve në komisariatin numër 6 në Tiranë, Dedan Gjoni, i cili iu ka treguar autorëve foton e objektivit për të cilin ishte porositur vrasja. Dedan Gjoni u vu në pranga gjatë operacionit të SPAK, ku u arrestua dhe Erzen Breçani, ndërkohë që u shpallën në kërkim Ervin Mata dhe i biri i Breçanit.
/ZËRI