
TIRANË- Dedan Gjoni, ish-shefi i krimeve në komisariatin numër 6 në Tiranë, i vënë në pranga pas përgjimeve në SKY ECC, dyshohet se është përfshirë në një tjetër ngjarje të rëndë kriminale.
Gjoni dyshohet se ka bashkëpunuar në një tentativë vrasje, teksa punonte në komisariatin e policisë në Shijak, ndërkohë që porosia për krimin ishte dhënë nga Hollanda.
Mësohet se Dedan Gjoni, iu kishte treguar foton dhe orën se kur do të lirohej një i dyshuar, i cili ishte planifikuar që të vritej, me porosi të disa shtetasve në Hollandë.
Emri i Gjonit ka dalë në përgjimet e reja që SPAK ka siguruar nga aplikacioni SKY ECC. Mësohet se Gjoni ka bashkëpunuar me disa personazhe të njohur në qytetin e Durrësit për të vrarë një person.
Ish-efektivi i lartë i uniformave blu akuzohet për sigurimin e kushteve për kryerjen e një vrasjeje. Për të njëjtën akuzë është kërkuar masë e dytë ndaj tij pasi Prokuroria e Posaçme ka prova të forta se Gjoni ka marrë pjesë në një tjetër vrasje të mbetur në tentativë.
Mësohet se Kep Arapi është personi që ka dalë në përgjimet e SKY ECC duke biseduar me Dedan Gjonin, ku porositej një vrasje në qytetin e Shijakut.
Burime bëjnë me dije për Zërin se operacioni në qytetin e Durrësit dhe në rrethinat e tij është ende në vijim. SPAK ka shmangur bashkëpunimin me policinë lokale në Durrës, dhe për arrestimet është marrë mbështetje nga efektivë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë.
/ZËRI