
PEQIN- Florenc Doka është zgjedhur drejtori i ri i burgut të Peqinit, pas vrasjes së Arben Lleshit, ku drejtuesi i komanduar Kamber Hoxha u vu në pranga nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Urdhëri për emërimin e Dokës, është firmosur nga vetë ministri i drejtësisë Ulsi Manja, ndërkohë që është prezantuar në ambientet e punës nga drejtori i përgjithshëm i burgjeve Admir Abrija.
Doka, i cili ka qenë pjesë e administratës së burgjeve, do të ketë përpara një punë të vështirë për rikthimin në normalitet të burgut të sigurisë së lartë në Peqin, ku vuajnë dënimet kryesisht persona me 25 vite burg, apo përjetë.
Në raportet e bëra nga drejtori i arrestuar Hoxha, i cili qëndroi vetëm pak javë si i komanduar, në sistemin e sigurisë në burgun e Peqinit kishte një sërë parregullsish, që nga mosfunksionimi i skanerit, te mbulimi jo i plotë i ambienteve nga kamerat.
Gjithashtu në këtë burg, sipas raportit të vetë Hoxhës, disa prej të dënuarve shfrytëzoheshin si shërbëtorë, nga të dënuar me mundësi më të mëdha ekonimike, por edhe me lidhje në nivelet drejtuese.
Çfarë ndodhi në Peqin?
Mesditën e 15 dhjetorit, Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej.
Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015. /ZËRI