
TIRANË- Babai i Luis Meçes që u plagos te sherri në “Fan Nol”, ku humbi jetën Martin Cani tha se autori ofendoi viktimën dhe kështu nisi e gjitha. Ai tha se nuk është e vërtetë që ata debatuan për vajza dhe rrjetet sociale, por sepse autori e ofendoi dhe Martini u ndje keq. Më tej ai tha për emisionin “Goca dhe Gra” se i përfshirë në sherr është dhe një person tjetër që identiteti, i të cilit nuk u bë me dije për mediat.
“Ka dëshmuar Luisi dhe e njeh djalin, ai është goditur edhe tek syri. Emri i djalit të dytë më bën përshtypje sepse nuk është qarkulluar në media. Djali i dytë ka pasur thikën më të vogël se ajo që ka dalë në internet dhe ka goditur djalin nga mbrapa.
Martinin ka tetë vite që e marr me djalin tim me makinë. I njoh se i kam edhe komshinj. Sherri ka ardhur për shkak të vllait të Martinit, personi që e ka goditur me thikë e ka ofenduar e më pas Martini është ndjerë shumë keq dhe ka reaguar. Nuk ka të bëjë as me çështje vajzash, as TikTok as Snapchat.
Kur kanë ardhur djemtë i kanë pyetur ku ka lule, të njëjtën që ne e përdorim për personat që i çojnë në varreza. Unë po kthehesha nga puna kur e mora vesh. Më tha Martini vdiq. Ishte shokuese, isha shumë i lidhur me fëmijët. Miku im që pret ngushëllime, më tha s’kam më lot”, tha babai i Luisit.
Të hënën, adoleshentët Martin Cani dhe Mario Prelleshi ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr ku edhe u përleshën me thika. Autori vrau 14-vjeçarin dhe plagosi shokun e ngushtë të viktimës, Luis Meçen. Gjatë marrjes në pyetje për shkakun e sherrit, autori është shprehur se përplasja kishte nisur për një "pse më shikon?", por në asnjë moment nuk ka shprehur pendesë. /ZËRI