
TIRANË- Adoleshentë, prindër dhe të moshuar kanë dalë në protestë për vrasjen e Martin Canit, i cili u qëllua me thikë për vdekje nga bashkëmoshatari Mario Prelleshi. Qytetarët marshuan nga shkolla "Fan Noli" ku dhe ndodhi ngjarja, për ta finalizuar protestën e tyre tek Ministria e Arsimit. Ata hodhën bojë të kuqe dhe njëzëri kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu.
Sipas tyre, zgjidhje për të ndalur dhunën mes të rinjve nuk është mbyllja e "TikTok" në Shqipëri, por duhet një reformim i sistemit të arsimit dhe rritja e sigurisë në shkolla në mënyrë që ngjarja të mos përsëritet. Mes turmës së protestuesve, u pikasën dhe nëna e tezja e Martin Canit, të cilat në gjendje të rënduar psikologjike, dhanë mesazhe të forta.
Por, pavarësisht kërkesave të tyre, ende nuk ka asnjë reagim nga institucionet./ZËRI