
TIRANË- Stuhia Ciaran, e cila ka përfshirë vendin ka qenë dhe shkak i aksidenteve nëpër rrugët e Shqipërisë. Kushtet meterologjike dhe lagështira e madhe në rrugë mendohet të jetë shkaku i aksidentit. Si pasojë kanë humbur jetën dy persona, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.
Aksidenti i parë u shënua në autostradën Morinë-Milot, ku një person humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur. Drejtuesi i mjetit ka humbur kontrrollin dhe është përplasur me murin anësor të aksit rrugor në rrugën e Kombit. Mësohet se i plagosuri është nisur drejt Tiranës.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 13:50, në autostradën Morinë-Milot, shtetasi E. M., duke drejtuar automjetin tip "Volksëagen", ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti është përplasur me bordurat në rrugë. Nga aksidenti ka humbur jetën drejtuesi i automjetit, shtetasi E. M., banues në Kukës, si dhe është dëmtuar pasagjeri, shtetasi S. H., banues në Kukës, i cili është dërguar për mjekim në Spitalin e Traumës, Tiranë. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Ndërkohë një aksident i rëndë me pasojë vdekje ka ndodhur pak minuta më parë në aksin rrugor Fier-Seman. Automjet ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në kanal, ku si pasojë ka humbur jetën shoferi 29 vjeç.

Njoftimi i policisë:
Rreth orës 15:00, në aksin rrugor “Fier-Seman” shtetasi E. K., 29 vjeç, banues në Fier, duke drejtuar automjetin tip “Peugeot”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga.Si pasojë e daljes nga rruga, ka ndërruar jetë shtetasi E. K. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkakut të aksidentit.