
TIRANË- Stuhia “Ciaran” ka mbërritur në Shqipëri, ndaj edhe Policia e Shtetit ka ngritur grupe drejtimi, të cilat kanë kaluar në gatishmëri të qytetarëve. Në njoftimin zyrtar, Policia ka nxjerrë listën e zonave me risk të lartë, tek të cilat nuk këshillohet që të kaloni. E po ashtoi, apeloi që drejtuesit e mjeteve të moderonin shpejtësinë për të mos u kthyer në objekt aksidentesh.
NJOFTIMI I PLOTË:
Policia e Shtetit
Nisur nga situata e krijuar nga moti i keq, Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri në të gjithë vendin, për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve në rast nevoje për ndihmë, dhe për të menaxhuar trafikun rrugor. Në DPPSH dhe në çdo Drejtori Vendore të Policisë, janë ngritur grupe drejtimi të cilat kanë kaluar në gatishmëri. Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e automjeteve që të moderojnë shpejtësinë dhe të ruajnë distancën e sigurisë, me mjetet e tjera në rrugë.
Zonat me risk më të lartë janë: • Lezhë, rrugët urbane dhe rrugët interurbane lidhëse; • Fushë Krujë, rrugët në zonën urbane dhe rrugët lidhëse interurbane; •Tiranë, rrugët urbane dhe ato interurbane; •Durrës. rrugët urbane dhe rrugët interurbane lidhëse me Tiranën dhe me pjesën tjetër jugore; • Elbasan, rrugët në zonën urbane dhe rrugët interurbane lidhëse.
Gjithashtu, Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të mos qëndrojnë në vende të pasigurta, duke qenë se për shkak të reshjeve dhe erës, mund të rrëzohen pemë ose mund të bien sende të forta nga lartësitë. Për çdo rast nevoje për ndihmë, drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët të telefonojnë numrin pa pagesë 112.
Stuhia ‘Ciaran’, e cila ka prekur disa vende të Europës, ka përfshirë ditën e sotme edhe vendin tonë duke krijuar vështirësi të madhe në qarkullimin e mjeteve. Rreshje të pazakonta shiu përfshinë kryeqytetin dhe kanë përmbytur disa rrugë në Tiranë. Situata është problematike dhe në akset rrugore ku autostrada Tiranë-Durrës është bllokuar nga trafiku, ndërsa rruga e Arbrit ishte thuajse e pakalueshme për dy orë për shkak të vërshimit të ujit dhe dherave. Në qytetin e Vlorës dhe Durrësit kushtet e përkeqësuara atmosferike sollën edhe pezullimin e lundrimit të mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit. Kushtet meterologjike dhe lagështira e madhe në rrugë është bërë dhe shkak i aksidenteve ë vend ku dy persona kanë humbur jetën. Kushtet e motit sollën probleme edhe me energjinë elektrike në disa qytete./Zëri.ai