
TIRANË- Pasi ministri Ulsi Manja deklaroi se PS është gati të tërhiqet nga një amandament në amnistinë penale, që parashikon lirimin e personave të dënuar nga GJKKO, ka ardhur dhe reagimi i deputetëve të Lulzim Bashës.
Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm, Enkelejd Alibeaj deklaroi se PD e mirëpret vendimin e mazhorancës për t’u tërhequr nga amendamenti që krijonte lehtësira për të dënuarit me vendim të formës së prerë nga GJKKO.
Ky qëndrim, sipas Alibeaj, reflekton mbështetjen pa kushte të PD-së ndaj punës që po bëjnë aktualisht institucionet e drejtësisë së re.
Po ashtu, PD e Bashës duket se do të japë dakordësinë që në amnisti të përfshihen të gjithë protestuesit, pavarësisht periudhës gjatë së cilës kanë protestuar.
"PD është e vendosur për të votuar vetëm vetëm një projektligj për amnistinë penale i cili i shërben qytetarëve të thjeshtë dhe të pambrojtur dhe nuk përfshihen në të zyrtarë të hetuar nga SPAK dhe të dënuar nga GJKKO. Të qëndruarit në vlera nuk është kushtëzim për PD-në. Për ne gjuha e arrogancës dhe kërcënimit është e papranueshme, kemi qenë të qartë në raport me atë që kërkojmë. PD nuk kërkon pazare tinzare dhe nuk do që të votohen ligje fshehurazi, por në transparencë të plotë. Ne mirëpresim tërheqjen e mazhoraznës nga mospërfshirja e të të dënuarve për korrupsion nga GJKKO. Duke qenë kjo dhe duke e konsideruar një mbështetje e pakushtëzuar për institucioneve SPAK e GJKKO i japim dakordësinë tonë që në amnisti të përfshihen të gjithë protestuesit pavarësisht kohës në të cilën kanë protestuar", deklaroi Alibeaj.
Më herët gjatë ditës së sotme, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi pas një vizite në shërbimin e provës se terreni është i hapur për diskutime me opozitën dhe se PS mund të tërhiqet nga amendamenti i shtuar në projektligj./ZËRI