
DURRËS- Dëshmitë e familjarëve Meta dhe Tuga kanë ngritur dyshime se Blerina mund të ketë qenë iniciatorja e vrasjes e më pas groposjes së bashkëshortit të saj, Pëllumb Metës, ngjarje të cilën e kanë marrë përsipër fëmijët e saj që ndodhen në qeli.
Blerina ende nuk është rrëfyer mbi vrasjen, gjë që e konfirmon edhe nëna e saj e moshuar, Sanije Tuga. Në një intervistë për emisionin ‘Me zemër të hapur’, ajo tha se e bija kishte deklaruar se kur të rehatohej do të tregonte, duke nënkuptuar që kur të vdiste.
Meta aktualisht po qëndron te prindërit e saj në Laç. Ndërsa Prokuroria ka marrë në administrim shtëpinë në Shënavlash ku ndodhi krimi horror. Hetuesit janë rikthyer disa herë në këtë banesë për të siguruar sa më shumë prova me shpresën për të gjetur prova që do të zbardhin detaje të reja nga ngjarja.
Prokuroria pritet që të marrë sërish në pyetje tre fëmijët, për të ballafaquar deklaratat e tyre në lidhje me ditën kur ka ndodhur vrasja, dhe rolin që ka pasur secili. Blerina Meta aktualisht është e lirë, edhe pse nën hetim, për akuzën e moskallëzimit të krimit./ZËRI