
TIRANË- Një grup me afro 200 mijë persona në Telegram është mbyllur përfundimisht. Grupi në fjalë, i titulluar “AlbKings”, cënonte provatësinë e vajzave dhe grave, pasi në të shpërndaheshin foto të tyre, si dhe të dhëna personale si numri i telefonit, vendbanimi e llogaritë në rrjete sociale. Po ashtu në grup shpërndaheshin pamje gjatë akteve seksuale, shumica e të cilave ishin xhiruar pa dijeninë e tyre.
Në disa raste, materialet që shpërndaheshin ishin të vajzave minorene, ndërsa ZËRI ka qenë media e parë që e ka trajtuar këtë fenomen.
Grupi “Albkings” ka qenë aktiv që nga nëntori i 2022, ndërsa me mbylljen e tij nuk i është dhënë goditja finale fenomenit. Nga vëzhgimi që ZËRI ka publikuar pak muaj më parë, janë evidentuar dhjetra grupe që operojnë në Telegram, që shpërndajnë materiale pornografike, duke mos kursyer as fëmijë./ZËRI