Aktualitet

Pronar i tokës shtet për 5 ditë, si Artan Gaçi i kaloi 12 mln lekë në llogari të Mëhillit, roli i Goros në tjetërsimin e 5500m tokë

Me ndërhyrjen e Jorgo Goros në hipotekën e Vlorës, Stavri Mëhilli u bë pronar i tokës shtet brenda 5 ditëve. Tokë e cila më pas është blerë nga Artan Gaçi

E.K
Pronar i tokës shtet për 5 ditë, si Artan Gaçi i kaloi 12
Jorgo Goro

TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja e SPAK që çoi në pranga kryebashkiakun në detyrë të Himarës, Jorgo Goro. Në dosjen e prokurorisë së posaçme thuhet se Goro ka tjetërsuar pronësinë e rreth 5500 metra tokë, e cila ishte shtet, duke e kaluar atë në emër të shtetasit Stavri Mëhilli, ndërsa përfituesi fundor ishte burri i ish-ministres Olta Xhaçka, Artan Gaçi. 

E gjitha kjo ka ndodhur në harkun kohor të 5 ditëve. Ka qenë Jorgo Goro ai që ka dorëzuar kërkesën në hipotekën e Vlorës për regjistrimin e kësaj prone, me raste të veçanta. Edhe pse qytetarëve mund t’iu duhen vite me radhë për të marrë pronat e tyre, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me rastin e kësaj sipërfaqe të konsiderueshme toke në perlën e jugut.

“Pavaresisht mungesës se një verifikimi në vetë dokumentacionin që vete Bashkia Himare ka rezultuar se posedonte prane saj si dhe ne mungesë te nje konfirmimi te domosdoshem nga Keshilli i Qarkut (pavaresisht se ne shkrese referohet se ky konfirmim ndodhet bashkelidhur), kryetari i Bashkise Jorgo Goro, ka percjelle kerkesen per regjistrim ne raste te veçanta, prane ZVRPP me shkresen nr. 731 prot.. date 18.03.2019 dhe aktet bashkelidhur, dhe mbi bazen e kesaj kerkese, dhe dokumentacionit bashkelidhur asaj, rezulton se ZVRPP-ja/ASHK-ja Vlore ka vepruar duke pajisur shtetasin Foto Pavllo Mëhilli (trashegimtaret) me dokumentin vertetim nga dokumenti hipotekor nr. 40, date 17.02.2020. ZK. 1739, fshati Gilek. per pasurine me sip. 5512 m2, te llojit truall.

Nga verifikimi i kryer ne registrim hipotekor dhe dokumentacionin ligjor perkates, rezulton se prane ASHK-se Vlore, ne date 17.02.2020, ne baze te kerkeses te shtetasit Stavri Mehilli, eshte regjistruar pasuria, registri hipotekor 40, date 17.02.2020, ZK.1739, fshati Gjilek, me siperfage 5512 m2, ne emer te shtetasit Foto Pavllo Mêhilli (trashegimtarêt). Nga kjo praktike rezulton se kerkuesi Stavri Mehilli ka aplikuar ne date 12.02.2020, ora 12:48, per sherbimet "Leshim vertetimi pronesie", dhe vetem pese dite me pas, date 17.02.2020, eshte pajisur me certifikaten perkatese te pronesise", thuhet në dosjen e SPAK.

Rreth 10 ditë pasi u bë pronar i tokës shtet, në llogarinë bankare të Mëhillit ka kaluar një shumë prej 12 milionë lekësh.

“Gjate hetimit jane kryer edhe verifikime prane institucioneve bankare dhe konkretisht, nga verifikimet e kryera prane Bankes 'I...., ' ka rezultuar se shtetasi Stavri Mëhilli disponon llogari bankare dhe nga nxjerja e llogarise (levizjet) ne monedhen ALL (Lekë), rezulton se ne date 27.02.2020, Shtetasit Stavri Mehilli, i jane transferuar/kaluar ne llogari shuma 12,677,600 leke me pershkrimin: "Kalim sipas kontrates nr. 296 rep nr. 171 kol date 26.02.2020"”, thuhet ne dosjen hetimore.

Po sipas SPAK ka qenë kompania në pronësi të Artam Gaçit, ajo që ka kaluar shumë e parave në llogari të Mëhillit. Burri i ish-ministrit Olta Xhaçka, i cili do të ishte dhe investitori në këtë truall, deri tani nuk ka asnjë masë sigurie nga SPAK.

"Nga te dhënat e siguruara rezulton që Stavro Mëhilli e ka shitur 12,677,600 lëkë sipas kontratës nga te cilat kësti i parë në vleren 3.000.000 lekë është likuiduar në datë 25.07.2019, nëpërmjet një transaksioni bankar dhe kësti i dytë në vlerën 9.677.600 lekë është likuiduar në datë 25.02.2020. Aktualisht prona figuron e registruar ne emer/pronesi te shoqerise "AG. TÇ" shpk", vijon dosja.

Lëvizjet me këtë pronë, u denoncuan në SPAK nga kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili nga ana e tij është dënuar me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor. Në denoncimin e Belerit thuhej se tjetërsimi i tokës shtetërore nga ana e Kadastrës së Vlorës, me kërkesë të Goros është bërë në mënyrë të paligjshme.

“Dergimi i kesaj AMTP per regjistrim me procedure te vecante sipas percaktimeve te bera ne shkresen percjellese derguar ne ZVRPP Vlore eshte haptazi ne kundershtim me piken 1/c te Vendimin Nr. 994, datë 9.12.2015 Per Proceduren e Regjistrimit te Akteve te Marrjes se Tokes ku parashikohet se: … pas verifikimit nëse AMTP-ja përmban elementet e formës dhe përmbajtjes, si më poshtë vijon: c) Të dhënat identifikuese të pasurisë/ve të dhëna në pronësi: ku detyruese janë numri kadastral apo toponimi i ngastrës/ve, sipërfaqja dhe lloji i tokës bujqësore;. Me dergimin per regjistrim te kesaj AMTP Kryetari i Bashkise Himare Jorgo Goro ka shperdoruar haptazi detyren duke shkelur drejteperdrejte Ligjin 7501 date 19.7.1991 “Per Token” dhe aktet nenligjore ne zbatim te tij”, thuhej mes të tjerave në denoncimin e Belerit, dorëzuar në SPAK.

Në një intervistë për ZËRIN nga ambientet e burgut, në Tetor të vitit të kaluar, Fredi Beleri tregoi shkëndijat e para se si e kuptoi se në Himarë kishte ndodhur një falsifikim i tillë dokumentacioni. Beleri thotë se toka që u mor nga Gaçi nuk ishte një tokë bujqësore dhe kjo "shihej me sy të lirë". Beleri tha se parcela në fjalë ishte vendosur në një hartë që nuk ekzistonte. 

"Në lidhje me këtë pronë, duket qartë nga vendndodhja e saj që është përfituar nëpërmjet falsifikimeve, pasi me sy të lirë duket që nuk është tokë bujqësore, dhe nuk ka qenë ndonjëherë e tillë. Trojet nuk mund të ndaheshin me ligjin “Për tokën bujqësore”. Në Dhërmi të gjithë i dinë ku i kanë pronat, bashkëfshatarët dhe familja në emër të të cilës ka dalë AMTP nuk ka pronë në atë vend", tha Beleri për ZËRIN.

Si iu dha Gaçit statusi i investitorit strategjik dhe dyshimet për konflikt interesi të Xhaçkës

Në një vendim të qeverisë Rama, në muajin Mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave shpalli vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Himarë për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare.

Sipas këtij vendimi, kompanisë ‘AGTTC Hotel Management' i jepej leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë. Në vendimin e qeverisë, ‘AGTTC Hotel Management' sh.p.k, cilësohej si investitor strategjik. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKB, kjo kompani figuron në pronësi të shtetases amerikane, Tawni Lin Grzych-Sutton.

“Bashkia Himarë ka detyrimin që brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së investitorit strategjik “AGTTC Hotel Management” sh.p.k, me NUIS M11825022K, të lidhë kontratën përkatëse për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në përputhje me sipërfaqet e destinacionin e kërkuar nga subjekti, të lejuara me vendimin nr.3/5, datë 29.3.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar, dhe të konfirmuara më tej nga Bashkia Himarë,” shkruhej në vendim.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB