
VLORË- Jorgo Goro ka qenë në praninë e një prokurori në momentin që i janë vënë prangat. Siç raportohet, Goro, kryebashkiaku në detyrë i Himarës ndodhej në një lokal me një grup miqsh duke konsumuar një kafe. Por, mes miqve të tij, mësohet se ka qenë dhe një prokuror, identiteti i të cilit nuk është bërë me dije.
Goro është vënë në pranga pas shqyrtimit të kallëzimit të bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur, Fredi Beleri që ndodhet pas hekurave dhe i dënuar për shitblerje votash.
Në kallëzimin e kryer, Beleri akuzon kryetarin në detyrë të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro se ka tjetërsuar një pronë në favor të të tretëve. Kjo pronë, pasi është blerë, i ka dhënë statusin e investitorit strategjik Artan Gaçit, ish-deputetit të Partisë Socialiste dhe njëkohësisht bashkëshorti i ish-ministres e deputetes Olta Xhaçka. Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli.