
VLORË- Jorgo Goro, kryebashkiaku në detyrë i Himarës është vënë në pranga pas shqyrtimit të kallëzimit të bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur, Fredi Beleri që ndodhet pas hekurave dhe i dënuar për shitblerje votash. Në kallëzimin e kryer, Beleri akuzon kryetarin në detyrë të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro se ka tjetërsuar një pronë në favor të të tretëve.
Kjo pronë, pasi është blerë, i ka dhënë statusin e investitorit strategjik Artan Gaçit, ish-deputetit të Partisë Socialiste dhe njëkohësisht bashkëshorti i ish-ministres e deputetes Olta Xhaçka. Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli.
Beleri paditi Jorgo Goron për veprat penale ‘Shpërdorim detyre’, ‘Falsifikim i dokumenteve, nga personi që ka për detyre të lëshojë aktin; Foto Pavllo Mehilli (trashëgimtarët), banues në Dhërmi, për kryerjen e veprës "Falsifikimi i dokumenteve", "Pastrimi i produkteve te veprës penale"; Artan Gaçin, për kryerjen e veprës penale "Falsifikimi i dokumenteve", dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale" si dhe Olta Xhaçkën, për kryerjen e veprës penale "Shpërdorimi i detyrës".
Artan Gaçi është paraqitur për tu marrë në pyetje në SPAK për këtë çështje, në tetor të vitit të kaluar. Një ditë pas tij, në dyert e SPAK shkoi vetë kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i cili u mor gjithashtu në pyetje.
Kallëzimi i bërë nga Beleri:
Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro ka konfirmuar duke nënshkruar planvendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie në hartën kadastrale 1:5000 mbi bazën e të cilës është kryer ndarja e tokës bujqësore në kooperativën Gjilek-Dhërmi.
Të gjitha veprimet e kundërligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlore në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme.
Trashëgimtarët e shtetasit Foto Mëhilli, duke tjetërsuar një pasuri që rrjedh nga një vepër penale si ajo e falsifikimit, kanë kryer edhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim me investitorët strategjikë, shtetasin Artan Gaçi etj.
Po ashtu edhe shtetasja Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj.

