Politikë

EKSKLUZIVE/ Beleri 'zbërthen' për 'Zëri': Goro falsifikoi dosjen në favor të Gaçit, pse më sulmonte Xhaçka

"Zëri.ai" komunikoi me zotin Beleri përmes përfaqësueses së tij greke dhe intervistën për shkak të pamundësisë fizike e kemi realizuar me shkrim.

Fjola Graçi
EKSKLUZIVE/ Beleri 'zbërthen' për 'Zëri':
Fredi Beleri, Artan Gaci dhe Olta Xhaçka

TIRANE- Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri është ende në burg duke pritur vendimin e GJKKO që sot zhvilloi edhe seancën e parë gjyqësore për çështjen e shitblerjes së votave, akuzë që e mban në burg Belerin që prej 12 majit të këtij viti. Por edhe pse në burg, Beleri dhe pala e tij mbrojtëse kanë bërë një kallëzim penal për një çështje mjaft të ndjeshme. Dosja në fjalë lidhet me dhënien e një prone e cila sipas Belerit është tjetërsuar dhe më pas i është shitur Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, i cili gëzon edhe statusin e investitorit strategjik. Beleri akuzon në kallëzimin e tij, kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, Artan Gaçin dhe ZRVPP Vlorë për falsifikimin që i dha 5512 metra katrorë tokë, familjes Foto Pavllo Mëhilli. Kjo pronë e cila është tokë truall, u regjistrua në ATMP si tokë bujqësore dhe më pas iu shit Artan Gaçit. 

"Zëri.ai" arriti të zhvillojë një komunikim me Belerin edhe pse në kushte jo të zakonta. Në komunikimin pyetje-përgjigje, Beleri tregon shkëndijat e para dhe se ku e kuptoi se në Himarë kishte ndodhur një falsifikim i tillë dokumentacioni. Beleri thotë se toka që u mor nga Gaçi nuk ishte një tokë bujqësore dhe kjo "shihet me sy të lirë". 

Në lidhje me këtë pronë, duket qartë nga vendndodhja e saj që është përfituar nëpërmjet falsifikimeve, pasi me sy të lirë duket që nuk është tokë bujqësore, dhe nuk ka qenë ndonjëherë e tillë. Trojet nuk mund të ndaheshin me ligjin “Për tokën bujqësore”. Në Dhërmi të gjithë i dinë ku i kanë pronat, bashkëfshatarët dhe familja në emër të të cilës ka dalë AMTP nuk ka pronë në atë vend."-thotë Beleri. 

Beleri që është edhe kallëzuesi për këtë çështje akuzon kryebashkiakun Jorgo Goro se ka vendosur një parcelë në një hartë që nuk ekzistonte duke shtuar se edhe numri i pasurisë nuk ekzistonte. Nga verifikimi thotë se i vetmi regjistrim që është bërë në Bashki është ky, që rezulton të jetë bërë më pas edhe blerja nga Gaçi. 

Procedura e regjistrimit të kësaj AMTP është kryer nga Bashkia Himarë me firmën e kryetarit të Bashkisë. Bashkia ka kryer dhe planvendosjen e parcelës duke e vendosur në një harte që nuk ka ekzistuar në kohën e dhënies së AMTP dhe janë vendosur në AMTP nr pasurie që nuk ekzistonin në vitin që mban ky akt. është regjistruar vetëm kjo parcelë sipas informacionit që kam, ndaj interes për të regjistruar pasurinë ka patur blerësi, që rastis të jetë bashkëshorti i ish-Ministres së Punëve të Jashtme. Për autorët dhe bashkëpunimet heton prokuroria, por toka e përfituar është truall. E çon për regjistrim kryetari i bashkisë, që ka për detyrë verifikimin e titullit të pronësisë, vendndodhjes, kufitarët etj, dhe regjistrohet vetëm kjo parcelë që është truall dhe që është shitur. 

Beleri thekson se deklaratat e Xhaçkës kundër tij mund të jenë "provë për interesin e saj të drejtpërdrejtë në vazhdimin e detyrës nga z.Goro", që nënkupton një rreshtim të ish-ministres në favor të interesave të "investitorit strategjik" që është edhe bashkëshorti i saj. 

I pyetur nga Zëri, se kush është dora që ka bërë falsifikimin e formularit, Beleri thotë se edhe prokuroria e ka përjashtuar disa herë Goron nga përgjegjësia për falsifikimet e ATMP-ve që dalin nga zyra e tij. "Vlen të përmendet që Prokuroria Vlorë ka konstatuar falsifikimin e shumë AMTP-ve të dërguara nga Bashkia Himarë për regjistrim, janë arrestuar disa persona, por çuditërisht është përjashtuar nga përgjegjesia penale Kryetari i Bashkisë që ka për detyrë të verifikojë çdo praktikë. Mund të hetoni si gazetarë në lidhje me këtë fakt."-shton Beleri. 

Por pse u bë falsifikimi? Beleri thotë se hetimin duhet ta bëjë SPAK, por paligjshmëria e tjetërsimit të kësaj prone, që nga tokë truall iu shit bashkëshortit të ish-ministres si një tokë bujqësore, përfshin në rreth Goron, Këshillin e Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZRVPP.

Qëllimi? "Të gjitha veprimet e kundraligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlorë në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë pasi është blerë është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet
i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres së Mbrojtjes në atë kohë."-thotë Beleri për Zëri.ai./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB