
TIRANË- Edhe pse çuan drejt vetëflijimit qytetarin Pal Trashaj, pas presioneve e kërcënimeve për borxhet e mbivendosura për një kredi të cilën ai e kishte shlyer, Micro Credit Albania kërkon që të operojë sërish në tregun shqiptar, në mënyrë legale. MCA ka bërë një ankimimin për revokimin e licensës duke kërkuar nga Banka e Shqipërisë që t’i lejojë të operojnë sërish në mbledhjen e borxheve të këqija.
Ankimimi është shqyrtuar nga Banka e Shqipërisë dhe guvernatori Gent Sejko e ka refuzuar me ‘keqardhje’. Vendimi është marrë më 27 qershor, në të cilin Sejko argumenton se e ka refuzuar për shkak të masave të sigurisë të vendosura tashmë nga Gjykata kundrejt Arben Meskutit dhe Elda Ibros, e cila është në ‘arrati’, si dhe ‘prishjes së reputacionit’ të këtij institucioni.
Pjesë nga vendimi:
Në lidhje me pretendimin që masa e sigurimit personal ndaj ortakut të shoqërisë, nuk cënon vijueshmërinë e aktivitetit të subjektit arsyetoj se reputacioni i shoqërisë për shkak të masës ndaluese të marrë ndaj ortakut është i cënuar rëndë. Tjetërsimi i kuotës që zotëron ortaku i ndaluar me masë sigurimi nuk nënkupton që reputacioni i këtij subjekti është i pacënueshëm sipas përcaktimeve rregullatore. Po ashtu, për aq kohë sa subjekti ka kohë që nuk përmbush asnjë nga detyrimet e ngarkuara nga Banka e Shqipërisë, krijoi bindjen se organet e shoqërisë nuk janë funksionale. Nga ana tjetër, fakti që komunikimi me administratorin e subjektit nuk ka funksionuar, kjo për faj të administratorit, më bind se pretendimi juaj për vijueshmërinë e veprimtarisë së shoqërisë nga administratori i saj është i pambështetur.
PËR KËTO ARSYE:
Në mbështetje të nenit 93 të Ligjit nr.9662 datë 18.12.2006 “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe neneve 130-140 të Kodit të Procedurave Administrative.
VENDOSA:
1.
Refuzimin e ankimit si të pabazuar dhe lënien në fuqi të vendimit Nr.2302 datë 23.05.2024 për revokimin e licencës së subjektit financiar jobankë “MICRO CREDIT ALBANIA” shpk ”.
2. Vendimi t’i njoftohet subjektit ankimues Micro Credit Albania sh.p.k.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatë sipas ligjit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë dhe në Fletoren Zyrtare.
GUVERNATOR
GENT SEJKO


Sejko argumenton dhe ‘vështirësitë’ që ka hasur në lidhje me përcjelljen e vendimeve të marra në duart e Elda Ibros, administratores së vetme të MCA-së dhe shkruan se kanë arritur t’ia dorëzojnë zarfin vetëm pasi kanë arritur të kenë komunikim me një nga punonjëset e institucionit, duke pranuar kështu një nga shkeljet e gjetura dhe raportuara prej muajsh nga ZËRI, faktin që MCA ka zyra fitkive dhe nuk gjendet në adresat e deklaruara.
“Kjo vendimmarrje i është komunikuar subjektit nga Banka e Shqipërisë edhe pse në tentativat për të komunikuar me administratorin e subjektit është përballuar me “heshtje”. Subjekti ka qenë i ngarkuar nga Banka e Shqipërisë pas marrjes së vendimit nr. 644 datë 06.02.2024 të komunikonte rregullisht në lidhje me vijimin e përmbushjes së detyrimeve më të cilat u ngarkua nga ky vendim. Përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për të marrë informacion, administratori i subjektit nuk i është përgjigjur personalisht. Më tej, edhe dërgimi i vendimit për revokimin e licencës është kthyer mbrapsht 2 herë nga shërbimi postar, pasi subjekti nuk gjendej në adresat e deklaruara. Dorëzimi është bërë me korrier privat, dhe në këtë rast vetëm pas komunikimit me një punonjëse të “MICRO CREDIT ALBANIA” shpk. Fakti që Banka e Shqipërisë po shqyrton ankimin ndaj asaj vendimmarrje, konfirmon vullnetin e këtij institucioni për të respektuar gjithë detyrimet sa i përket procedimit administrative,”- thuhet më tej në vendim.


Sot, ZËRI raportoi gjithashtu se bosi i skemës së mashtrimit me mikrokreditë, Arben Meskuti, aksioner i Final, rezulton që të ketë bërë lëvizje dhe të ketë marrë vendime, edhe pse ndodhet pas hekurave. Edhe Elda Ibro, një prej personave të tjerë, për të cilën është lëshuar masa e sigurisë arrest shtëpie, pronare e MCA, ka marrë vendime dhe ka organuzuar mbledhje, në emër të kompanisë pa licensë. Fillimisht Ibro ka lëvizur zyrat qendrore të MCA nga pallatet “Usluga” përballë SPAK, dhe më pas ka zhbërë vendimin e marrë po nga ajo vetë.
Meskuti dhe Ibro janë vetëm dy nga personat që janë vënë nën akuzë për skemën e mashtrimit me shoqëritë që mbledhin kreditë e borxhet e këqija. Nga ana tjetër, qytetarët që janë mashtruar prej tyre, vijojnë që të mos marrin një zgjidhje nga Banka e Shqipërisë. Edhe pse u tha se do të kishte një qëndrim të unifikuar në lidhje me mënyrën e pagesës së kësteve, apo shqyrtimin e rasteve ku qytetarët pretendojnë se janë mashtruar, as 2 muaj pas arrestimeve, Banka e Shqipërisë nuk ka dalë në një deklaratë zyrtare për të orientuar shqiptarët. Në redaksinë e ZËRI-t çdo ditë kontaktojnë qytetarë që kanë qenë pjesë e skemës së mashtrimit, të cilët nuk kanë asnjë informacion, se si do të veprohet me rastet e tyre, ndërsa Banka e Shqipërisë dhe guvernatori Gent Sejko, duket se kanë marrë pushimet e parakohshme. /ZËRI
-
Arben Meskuti dhe Elda Ibro marrin vendime nga burgu
7 Korrik, 13:01 -
-
-
SKEMA/ Si Arben Meskuti tentoi t'i shmangej arrestimit
23 Maj, 19:55 -