
FIER- Avokati i Xhuljano Mihos, 39-vjeçari që vrau me thikë partnerin e ish-gruas së tij, ka deklaruar në sallën e gjyqit se armën e krimit, autori ia kishte marrë viktimës. Vetë Miho e pranoi krimin e kryer, ndërsa avokati i tij, Niko Bega u shpreh se Miho kishte bërë kallëzime në polici për përleshjet që kishte pasur me 23-vjeçarin Xhimi Bakaj, por nuk ishte marrë asnjë masë nga autoritetet.
"Normal që është penduar për atë që ka bërë. pavarësisht kallëzimeve që ka bërë i arrestuari në Komisiariat 3 4 herë për keqtrajtimet që i ka bërë viktima dhe zënkave të përditshme dhe kanosjeve. Masa e sigurimit u la me arrest në burg pa afat. I pandehuri pretendon që kur ka vajtur tek vendi i ngjarjes, ka takuar fëmijët dhe u ka blerë patatina dhe rroba për të veshur. Ndërkohë ka vajtur viktima janë zënë me grushta me njëri tjetrin. I arrestuari pretendon se ka marrë ai thikën, e ka pasur viktima thikën, e ka qëlluar pasi dhe vetë i arrestuari ka pasur shenja në qafë dhe në kokë. Patjetër që është penduar. Po ka një viktimë aty,"- tha avokati.
Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë në Fier. I riu nga Fieri u bë viktimë e xhelozisë së bashkëshortit të bashkëjetueses së tij. E dashura e tij ishte në një proces divorci me të shoqin e saj, Xhuljano Miho, por në kushtet kur padia nuk kishte kaluar ende në fazë shqyrtimi nga Gjykata e Fierit, ajo kishte vendosur që të shkonte dhe të jetonte me të dashurin e saj të ri.
Me vete kishte edhe 3 fëmijët nga martesa me Mihon.
Të dy, si viktima, ashtu dhe 39-vjeçari kishin pasur edhe më parë konflikte me njëri-tjetrin, por ajo e dy ditëve më parë rezultoi fatale. E gjitha nisi me një konflikt verbal dhe më pas janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, deri në momentin kur 39-vjeçari, ka marrë thikën dhe e ka qëlluar tre herë në pjesë të ndryshme të trupit të riun.
Baka u dërgua menjëherë në spital, por nuk arriti t'u mbijetonte plagëve të marra.