
TIRANË- Ndërsa ndodhet i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, që nga data 23 Maj, bosi i skemës së mashtrimit me mikrokreditë, Arben Meskuti, aksioner i Final, rezulton që të ketë bërë lëvizje dhe të ketë marrë vendime, në kompaninë ku rezulton pronar i vetëm. Edhe pse me licensa që i janë revokuar nga Banka e Shqipërisë, si dhe me sekuestrimin e rreth 10 milionë eurove pasurive, Arben Meskuti, gjatë kohës që qëndron në paraburgim në Tiranë, rezulton se ka zhvilluar një mbledhje të asamblesë së ‘Final’, dhe ka marrë disa vendime.

Në një dokument që mban datën 30 Maj, një javë pas arrestimit, thuhet se Meskuti ka mbledhur asamblenë e Final, dhe ka firmosur disa vendime për shkurtimin e zyrave dhe personelit të kësaj kompanie. Edhe Elda Ibro, një prej personave të tjerë, për të cilën është lëshuar masa e sigurisë arrest shtëpie, pronare e MCA, ka marrë vendime dhe ka organuzuar mbledhje, në emër të kompanisë pa licensë. Fillimisht Ibro ka lëvizur zyrat qendrore të MCA nga pallatet “Usluga” përballë SPAK, dhe më pas ka zhbërë vendimin e marrë po nga ajo vetë.

Të gjitha lëvizjet e ndërmarra nga këta persona, janë pasqyruar në faqen e Qendrës Kombëtare të Biznesit, edhe pse në të dy rastet kemi të bëjmë me një person të arrestuar, dhe një tjetër nën masë sigurie, e cila dyshohet se është arratisur në shtetin francez.
Ndërkohë që Meskuti dhe Ibro përballen me akuzat, mijëra qytetarë që janë mashtruar prej tyre, vijojnë që të mos marrin një zgjidhje nga Banka e Shqipërisë. Edhe pse u tha se do të kishte një qëndrim të unifikuar në lidhje me mënyrën e pagesës së kësteve, apo shqyrtimin e rasteve ku qytetarët pretendojnë se janë mashtruar, as 2 muaj pas arrestimeve, Banka e Shqipërisë nuk ka dalë në një deklaratë zyrtare për të orientuar shqiptarët. Në redaksinë e ZËRI-t çdo ditë kontaktojnë qytetarë që kanë qenë pjesë e skemës së mashtrimit, të cilët nuk kanë asnjë informacion, se si do të veprohet me rastet e tyre, ndërsa Banka e Shqipërisë dhe guvernatori Gent Sejko, duket se kanë marrë pushimet e parakohshme. /ZËRI