
TIRANË- Zbulohet pasuria e mjekut Onkolog, Edmond Gashi, i cili u bë i njohur pas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës. Në emër të tij, mjeku rezulton të ketë mbi 13 pasuri të ndryshme në Tiranë. Bëhet fjalë për apartamente, garazhe, llogari bankare dhe dy biznese, janë të regjistruara në emër të kirurgut të Onkologjikut, por edhe në emër të familjarëve të tij.
Gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se në emër të mjekut janë dy biznese: “Gashi-Medical”, një kompani e regjistruar në vitin 2021, ku 90 për qind të aksioneve i zotëron Edmond Gashi, ndërsa 10 për qind të kuotave të mbetura i zotëron vëllai i tij, Floren Gashi; tjetra është "Medical Clinic MEGIS”, e cila është e regjistruar në vitin 2019, ku edhe këtu 90 për qind të kuotave i disponon doktori Edmond Gashi, ndërsa 10 për qind të aksioneve i disponon Manjola Gashi.
Të gjitha pronat e tij janë në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Atje ka dy garazhe me sipërfaqe prej 21 m2; një dyqan me sipërfaqe 34 metra katror dhe dy apartamente me sipërfaqe 62 dhe 90.4 metra katrorë.
"Edmond Gashi, disponon apartament me sipërfaqe 50 m2 në emër të vëllait të tij, Eduard Gashi, Anila Gashi, Fatbardha Hasani. Kjo pasuri është me barrë hipotekore në favor të Drejtorisë Rajonale Tatimore për pjesën takuese të Anila Gashi. Ndërkohë në emër të Edmond Gashit dhe Manjola Gashit, është regjistruar një pasuri prej 110 m2 me vlerë prej 47 mijë euro,"-shkruan gazetari. Gjithashtu, në emër të Edmond Gashit, është i regjistruar dhe një automjet “Benz-Mercedez”, me të cilin shoferi i tij tentoi që të ndalonte gazetarët që të raportonin teksa Gashi ishte brenda Gjykatës së Tiranës.
Aktualisht ndaj kirurgut është ngritur akuza e “Shpërdorimit të detyrës” dhe Edmond Gashi është lënë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. ZËRI ka zbardhur dosjen e Prokurorisë së Tiranës, ku sqaron të gjitha rolet që kanë pasur personat e përfshirë në skemën e mashtrimit, ku ata që e pësonin, ishin pacientët. Pacientët që drejtoheshin pranë dyerve të Onkologjiku, u flisnin për radhë të gjata pritjeje, nfdërsa Edmond Gashi, u ofronte zgjidhje, i dërgonte në klinikën private, aty ku ndante fitimin me të tjerët./ZËRI