
TIRANË- Komisioni Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS do të mblidhet sërish të mërkurën, më 10 korrik. Për mbledhjen e radhës do të vijojë marrja në pyetje e dëshmitarëve të radhës. Mbledhja parashikohet që të nisë rreth orës 10 dhe do të përfundojë pasi secili prej dëshmitarëve të jenë marrë në pyetje nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
Zhvillimi i seancave dëgjimore me dëshmitarët si vijon:
Ora 10:00 – Z. Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale;
Ora 11:00 – Z. Genti Gazheli, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave;
Ora 12:00 – Z. Edmond Rrushi, Drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit;
Ora 13:00 – Znj. Luneda Sufali, Kryeinspektore e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor;
Ora 14:00 – Z. Ardian Bali, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
Ora 15:00 – Z. Ervin Koçi, Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave.
Ç'ka ndodhur me sistemin TIMS?
Sulmi i ndodhur në 2022 ndaj sistemit TIMS është marrë përsipër nga një grup i identifikuar si Homeland Justice, i cili, sipas qeverisë shqiptare është i financuar nga Irani. Pikërisht për këto sulme, jo vetëm ndaj TIMS por edhe institucioneve të tjera, kryeministri Edi Rama deklaroi ndërprerjen e marrëdhëneve me Republikën Islamike të Iranit. Pas sulmeve kompania Microsoft që mori pjesë në hetimin e ngjarjes tha se të gjitha zbulimet e saj ishin të lidhura me Iranin. Hetimi i TIMS është paraprirë nga akuza dhe përplasje të ndërsjellëta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa deputetë demokratë kanë paralajmëruar se të dhënat që do të zbulohet nga Komisioni, do të zbardhin shumë nga lidhjet e ministrave apo zyrtarëve socialistë me elementë të krimit./ZËRI