
SELANIK – Të tjera detaje janë mësuar në lidhje me ngjarjen tragjike të ndodhur në Selanik, ku u vra në mënyrë makabre shqiptarja Georgia Murati nga partneri i saj dhe një mik i këtij të fundit. Murati, në momentin që u vra ishte edhe shtatzënë.
Partneri 39-vjeçar i shqiptares, Akis është tashmë nën akuza për vrasje në gjendje të qetë shpirtërore, ndërprerje të shtatzanisë, grabitje, si dhe armëmbajtje pa leje. Vetë greku ka mohuar se është i përfshirë në vrasjen e partneres së tij shqiptare. “Unë nuk kam lidhje me vrasjen e partneres sime, Georgias. Kam qenë në shtëpi dhe po flija. Nuk kam dijeni për asgjë dhe gjithçka mund ta ketë bërë shoku im”, ka thënë ai, duke fajësuar kështu mikun e tij, që dyshohet se ndihmoi në vrasje. Edhe avokati i 39-vjeçarit Othona Papadopoulos ka thënë se klienti i tij nuk ka gisht në vrasje.
‘CV’ e 39-vjeçarit, e pasur me vepra penale
Sipas informacioneve, 39-vjeçari ka gjithsej 45 precedentë penalë ndaj tij për raste të ndryshme, mes tyre rrahje, dhunë në familje dhe akuzë për përdhunim të motrës. Nga ana e tij, i pandehuri i dytë, 34 vjeç, pretendon se nuk dinte asgjë për vrasjen dhe se qëllimi i tij atë natë ishte grabitja e viktimës. “Ai nuk kishte asnjë motiv tjetër, aq më pak qëllim vrasjeje”, thekson avokati që përfaqëson të pandehurin 34-vjeçar.
Ai pohon se për sa kohë ka qenë i pranishëm në banesë, gruaja fatkeqe ka qenë gjallë dhe nuk lëvizte, ndërsa pranon se ka marrë pjesë në procesin e transportimit të trupit në zonën pyjore të Selanikut. Sipas avokatit Parigoris, klienti i tij është paraqitur vullnetarisht në polici për të dëshmuar, ndërsa ka deklaruar se 34-vjeçari vuan nga çrregullime psiko-zhvillimore, për të cilat nuk mund të gënjejë dhe ka histori mjekësore.
Edhe pse të dy deklarojnë se nuk kanë gisht në vrasjen e shqiptares Georgia Murati, një video e publikuar nga mediat greke vërteton të kundërtën. Dy të pandehurit shfaqen në një video, teksa hedhin në koshin e mbeturinave sende personale të Muratit. Kjo lëvizje e tyre bëhet me qëllim që të thoshin se 41-vjeçarja ishte zhdukur dhe të bëhej i besueshëm ky version.
Ngjarja që tronditi Selanikun ndodhi natën e Vitit të Ri. Partneri 39-vjeçar i Georgia Muratit dhe një shok i tij akuzohen për vrasjen e shqiptares. Ata, pasi e kanë masakruar gruan, trupin e saj e kanë dërguar në një zonë periferike dhe të braktisur të Selanikut. Të dy përballen tashmë me drejtësinë./ZËRI/