
TIRANË – Tirana është mbushur tashmë me kulla të larta, të cilat shtohen nga dita në ditë. Një tjetër kullë pritet që të ngrihet në kryeqytetin shqiptar. Kulla, e cila do të emërtohet “Hora Vertikale” pritet të ndërtohet pranë Universitetit të Sporteve dhe ka një arkitekturë të veçantë e të çuditshme. Kulla është quajtur edhe ndërtesë e çuditshme, pasi është e ndërtuar nga disa kuba, ku secila prej tyre ka 7 kate.

'Hora Vertikale’, kulla e re në Tiranë
Studio portugeze e arkitekturës OODA ka zbuluar së fundmi dizajnin për ‘Horan Vertikale’, e cila pritet të ndërtohet në Tiranë. Me një sipërfaqe mbitokësore prej 55,000 metrash katrorë dhe një lartësi të madhe prej 140 metrash, faza e parë e ndërtimit ka marrë dritën jeshile dhe është planifikuar të nisë pranverën e ardhshme. "Përtej strukturave të larta të banimit, një park i ri dhe një sërë lehtësish do të jenë të hapura për banorët dhe vizitorët", thuhet në përshkrimin e projektit. Ndërtesa do të jetë me kube të improvizuara.

Kritikat për paqëndrueshmërinë e kullës dhe shkatërrimin e pjesëve historike të Tiranës
E quajtur “hora vertikale” ose e njohur ndryshe si ndërtesa me kube, ka marrë edhe kritikat e para nga qytetarët. Shumë persona e kanë konsideruar kullën se ajo është e paqëndrueshme fizikisht, sidomos nëse ka tërmete. Projekti përbëhet nga 13 kuba 22.5 metra në lartësi të ndryshme të vendosur mbi njëri-tjetrin që formojnë një kullë të lartë të paqëndrueshme.
Qytetarë të shumtë shprehen të shqetësuar edhe në lidhje me faktin se kulla në fjalë, sikundër është vepruar edhe me ndërtesa të tjera, shkatërron pjesën historike të qytetit.



Komentuesit kritikojnë kullën me kube: Krijon kaos urban
Oodaa Architecture ka prezantuar projektin e kullës me kube, ndërsa komentuesit janë shprehur të indinjuar në lidhje me mënyrën si ndërtohet ndërtesa e re. Një nga komentuesit shprehet se projekti të vret syrin. Një tjetër deklaron se ky është një shembull sesi arkitektura nuk duhet të jetë. “Ky është një shembull sesi arkitektura nuk duhet të jetë”, thotë komentuesi. Një tjetër qytetar shpreh indinjatën për projektin e kësaj ndërtese. “Ky objekt nuk ka asnjë lidhje funksionale, kulturore apo historike me qytetin e Tiranës. Ky objekt është totalisht jashtë kontekstit të qytetit dhe krijon kaos urban, është një strukturë e pakuptimtë në mes të një qyteti që lufton për ekzistencë”, shprehet komentuesi. Më epik është nje tjetër koment, që thotë: ‘Në një vend të çrregullt si Tirana, kjo duket si një tezgë shtesë’!



Një irritim edhe më të madh duket se kanë komentues të tjerë, që shprehen se narkoprojekte si ky po dhunojnë Shqipërinë. Një tjetër komentues shprehet se qeveritarët në Tiranë po i përgjigjen kaosit, duke dhuruar më tepër kaos. Një tjetër komentues shprehet se projekti duket tepër i dobët. “Deri kur qyteti im do të trajtohet si mikpritës i koncepteve të dobëta dhe kompozimeve të këqija për studiot e huaja?”, thotë ai. Një qytetar thotë se projekti i duket i frikshëm. Ndërsa, një komentuese pyet nëse studio arkitektonike po bën shaka.
Tirana është kthyer në një qytet, ku brenda pak viteve janë ndërtuar shumë kulla të larta, të cilat kanë marrë kritika nga urbanistë dhe arkitektë të njohur, por edhe qytetarët e zakonshëm. Për pak kohë, duket se do të kemi edhe kullën, e konsideruar “të çuditshme”, e cila është e përbërë nga kubet. Duke vërejtur fotot e publikuara tashmë të projektit, cili është mendimi juaj për këtë kullë? Si ju duket projekti?/ZËRI/