TIRANË-Teksa protesta e studentëve hyn sot në ditën e pestë, disa prej të rinjve ndodhen të shoqëruar në ambjentet e Komisariateve, disa prej tyre presin rikuperimin në spitale, si pasojë e lëndimeve gjatë përplasjeve dhe trazirave në tubim. Një prej tyre është Evanthi Pango, aktivistja 34-vjeçare mbeti e plagosur rëndë në kokë gjatë përplasjes mes protestuesve dhe forcave të policisë në zonën e “Rrugës së Elbasanit”.
Pango u godit në pjesën e ballit nga një bombol e përdorur për shpërndarjen e gazit lotsjellës. Momenti ishte kritik, pasi u raportua se e reja humbi shumë gjak dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës.
Edhe sot Pango vijon të mbahet nën monitorim intensiv nga mjekët, por për fat të mirë, nga goditja që ka marrë në ballë, nuk ka pësuar dëmtime të trurit. Plagosja e saj ka rikthyer në vëmendje pasojat e përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit, duke e zhvendosur vëmendjen përtej debatit politik dhe te siguria e qytetarëve që marrin pjesë në tubime.