Aktualitet

AMP nis hetimet për shkeljet e policisë gjatë protestave

Njoftohet se të gjitha materialet e mbledhura do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit përkatës, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të çdo rasti dhe përcaktimin e përgjegjësive të mundshme. 

F.I
AMP nis hetimet për shkeljet e policisë gjatë protestave
pamje nga protesta

TIRANË-Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. AMP bën të ditur se ka administruar materiale filmike të transmetuara nga mediat audiovizive, si dhe pamje të publikuara në rrjetet sociale.

Njoftohet se të gjitha materialet e mbledhura do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit përkatës, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të çdo rasti dhe përcaktimin e përgjegjësive të mundshme. Në katër ditë protestë, 6 efektivë dhe shefi i Komisariatit nr.1 në Tiranë janë pezulluar deri më tani pas dyshimeve se kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve.

Njoftimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka monitoruar situatën e krijuar gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, me fokus evidentimin dhe verifikimin e çdo rasti të dyshuar për shkelje ligjore nga punonjësit e Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës.

Në kuadër të këtij procesi, punonjës të AMP-së kanë qenë të pranishëm në terren gjatë zhvillimit të protestave, duke evidentuar raste konkrete.

Gjithashtu, AMP ka administruar materiale filmike të transmetuara nga mediat audiovizive, si dhe pamje të publikuara në rrjetet sociale. Të gjitha materialet e administruara do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit përkatës, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të çdo rasti dhe përcaktimin e përgjegjësive, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Për rastet e evidentuara, AMP po vijon veprimet në përputhje me kompetencat e saj ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, për shkëmbimin e informacionit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjeve, pa cenuar pavarësinë e procesit të verifikimit dhe hetimit. Për rastet kur janë evidentuar të dhëna që përmbajnë elemente të veprave penale, veprimet procedurale vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

AMP mbetet e angazhuar në përmbushjen me përgjegjësi të misionit të saj ligjor, përmes pranisë aktive në terren, monitorimit të vazhdueshëm dhe verifikimit të çdo rasti që lidhet me ushtrimin e detyrës nga punonjësit e Policisë së Shtetit. Agjencia do të vijojë të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse, duke garantuar paanshmërinë, llogaridhënien dhe zbatimin e ligjit, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.

Poll

MOS HUMB