TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar për protestat e ditëve të fundit në kryeqytet, të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe Policisë si dhe me dëmtime të pronës publike dhe private.
Në një përgjigje për mediat, përfaqësia diplomatike amerikane u ka bërë thirrje qytetarëve që të shprehin qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin, duke e cilësuar dhunën të papajtueshme me angazhimin qytetar.
“Nxisim qytetarët që marrin pjesë në protesta ta shprehin qëndrimin e tyre në mënyrë të ligjshme dhe paqësore. Aktet e dhunës nuk janë pjesë e angazhimit qytetar”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.
Reagimi vjen pas disa ditësh protestash në Tiranë, gjatë të cilave janë shënuar incidente, persona të lënduar dhe dëmtime të institucioneve e bizneseve./ZËRI