
TIRANË-Një ditë para protestës së 20 shkurtit, ish-kryeministri ka ftuar sërish shqiptarët të bëhen pjesë e tubimit. Berisha nga arresti i shtëpisë tha se e vërteta dhe bashkimi do shtrojnë rrugën e rikthimit të opozitës në pushtet dhe se këto janë dy armët e forta të tubimit.
Berisha:20 shkurti do të jetë në historinë e demokracisë një ditë e shenjtë, sepse kjo protestë do të jetë ndryshe nga cdo protestë që Shqipëria ka pasur nga 20 shkurti 1991 deri më sot. Kjo sepse secili prej jush, cdo protestues do të ketë nesër me vete dy armë që nuk i ka patur me parë. Çdo shqiptar që do shkelë më 20 shkurt në Tiranë do marshojë me këto dy forca madhore. Protestuesit do kenë në njërin krah të vërtetën, ndërsa në krahun tjetër bashkimin.
Me lejoni këtu të përshëndes në emirin tuaj mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë që kanë ardhur dje dhe sot në Tiranë nga të katër anët e dheut për të bashkuar me ju, nesër ditën e fitores. Këto janë dy forca që do ta bëjnë më të rëndë hapin e cdo demokrati. E vërteta dhe bashkimi do të bëjë që zëri i protestuesve të depërtojë në zemrat e shqiptarëve kudo që janë. E vërteta dhe bashkimi do shtrojnë rrugën e rikthimit të opozitës, rikthimit të PD në pushtet, rrugën e shpëtimit të Shqipërisë.
Berisha raportohet se do të jetë pjesë e tubimit, ku do të mbajë një fjalim përmes lidhjeve online, pasi qëndron në arrest shtëpie, ose i regjistruar. /ZËRI