Politikë

E PLOTË-GJK pro marrëveshjes me Italinë! Hartimi i protokollit zgjati 5 muaj, 4 anëtarë kundër

f.t
E PLOTË-GJK pro marrëveshjes me Italinë! Hartimi i protokollit
Edi Rama dhe Giorgia Meloni

TIRANË-Gjykata Kushtetuese publikoi sot vendimin e arsyetuar ku i dha “dritën jeshile” marrëveshjes për emigrantët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane. Vendimi u morr nga 9 anëtarë, nga të cilët 5 votuan pro marrëveshjes, kundrejt 4 që ishin kundër. Kundër marrëveshjes ishin gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja, Ilir Toska dhe Elsa Toska.

Gjyqtarët kanë qenë të mendimit se Gjykata duhej ta kishte deklaruar Protokollin për Migracionin të papajtueshëm me Kushtetutën dhe të ndalonte ratifikimin e tij nga Kuvendi. Sipas tyre sistemi normativ përmban një referencë gjeografike territoriale, që pasqyron hapësirën e veprimit të akteve normative dhe, për rrjedhojë, edhe shtrirjen gjeografike të veprimtarisë së institucioneve tona publike dhe ushtrimit të kompetencave të tyre. Nje tjeter argument eshte ana financiare dhe se Këshilli i Ministrave u jep juridiksion ekskluziv autoriteteve italiane, duke kufizuar në këtë mënyrë juridiksionin e autoriteteve shqiptare.

Ndërkohë anëtarja, Elsa Toska arsyeton se nga pikëpamja juridike, një përfaqësim i shtetit, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, në marrëdhënie me jashtë nga ana e qeverisë, pa autorizimin paraprak të Presidentit, kur bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare me natyrë politike, nuk është në përputhje me parimin e shtetit të së drejtës. 

Gjithashtu një detaj tjetër është zbuluar në vendim. Hartimi i Protokollit për Migracionin deri në nënshkrimin e tij ka zgjatur rreth 5 muaj. Mësohet se ka qenë pala italiane që më 23 maj të 2023 përmes ambasadorit të saj që ka përcjellë notën verbale për nisjen e veprimeve prë një marrëveshje të mundshme, ndërkohë që më 21 gusht, pak ditë nga pushimet në Vlorë të kryeministres italiane Giorgia Meloni, (14 gusht 2023) pala italiane përcolli draftin e parë të marrëveshjes.

Hapat deri ne firmosjen e marreveshjes

- 23 Maj 2023 Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci me notë verbale i ka bërë të ditur sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave nisjen e veprimeve për një marrëveshje të mundshme ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë në fushën e migracionit të paligjshëm.

-21 Gusht 2023 pala italiane, nëpërmjet notës verbale të ambasadorit, ka përcjellë draftin e marrëveshjes

-Me urdhrin nr. 99, datë 25 Gusht 2023 të Kryeministrit është ngritur grupi ndërinstitucional i punës me përfaqësues të institucioneve shqiptare për negocimin me palën italiane të projektmarrëveshjes. Grupi i punës kryesohej nga zëvendësministri i Mbrojtjes (Shënim redaksia: Në këtë post Enkelejd Joti) dhe ka pasur në përbërje përfaqësues nga institucione në nivel ministrie: drejtësia, punët e jashtme, financa dhe ekonomia, e brendshmja, mbrojtja, si dhe Policia e Shtetit dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

- Në datat 13 Shtator 2023 dhe 13 Tetor 2023, me autorizim të Kryeministrit, është kërkuar lëshimi i plotfuqisë nga Ministria për Punët e Jashtme për anëtarët e grupit negociator.

- Në datat 25 Shtator 2023 dhe 13 Tetor 2023 ministri për Punët e Jashtme ka lëshuar plotfuqitë për negocimin e projektmarrëveshjes.

- 06 Tetor 2023 pala italiane ka përcjellë një variant të ripunuar të këtij drafti.

Në datat 17 dhe 18 tetor 2023 janë zhvilluar bisedime në nivel teknik për përmbajtjen e projektmarrëveshjes.

Me shkresën e datës 03 Nentor 2023, Ministria e Mbrojtjes i ka bërë të ditur ambasadës italiane dy zonat e identifikuara për t’i përdorur sipas marrëveshjes.

Në të njëjtën datë ambasada italiane ka përcjellë me notë verbale tekstin përfundimtar të Protokollit për Migracionin së bashku me dy anekset e tij. Po kështu, në të njëjtën datë Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar mendim nga institucionet e linjës për projektvendimin për miratimin në parim të Protokollit për Migracionin, të cilat, po brenda ditës, kanë dhënë përgjigje positive duke u shprehur parimisht dakord.

06 Nentor 2023 Këshilli i Ministrave, bazuar në nenin 100 të Kushtetutës dhe nenin 10 të ligjit nr. 43/2016, ka miratuar në parim Protokollin për Migracionin
6 Nentor 2023 u nënshkrua nga kryeministrat e dy shteteve, Edi Rama e Giorgia Meloni.

Në vendim theksohet se pavarësisht faktit që kampet do të ndërtohen në tokë shqiptare, vendi ynë do të ketë juridiksion territorial mbi to. Nga ana tjetër, në vendim thuhet se për sa u përket kërkesave për azil, në aspektin e detyrimeve ndërkombëtare, për shtetin shqiptar nuk ka lindur ndonjë detyrim i tillë për sa kohë ky juridiksion ushtrohet mbi personat nga shteti italian, si shteti ku mbërrijnë migrantët e paligjshëm. Detyra për shqyrtimin e kërkesave për azil të migrantëve që kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Italisë u përket autoriteteve të atij shteti, që do të thotë se kur ai zgjedh të procedojë jashtë territorit të tij, detyrimisht duhet të ushtrojë juridiksion për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare. /ZËRI

Poll

MOS HUMB