
TIRANË- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu është pyetur për më shumë se dy orë nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Manastirliu u paraqit e vetme në Prokurorinë e Posaçme dhe pasi doli prej aty, deklaroi se është marrë në pyetje si person në dijeni për çështjen e sterilizimit, gjatë kohës që drejtonte Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
"Isha në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen e sterilizimit, për kohën kur kam drejtuar QSUT,"- tha Manastirliu për mediat, duke mos ndarë më shumë detaje.

Dosja e sterilizimit u kallëzua gjatë vitit 2019 nga 'Nisma Thurje' dhe Partia Demokratike. Denoncuesit pretendonin se kontratat e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale firmosur mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncensionare “Sani Service” po i shkaktonte shtetit dëm ekonomik. Një auditim i KLSH nxori se pajisjet me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë. Për llogari të këtij hetimi, më 17 gusht 2023 SPAK arrestoi ish-zëvendës ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, fitues i koncesionit të Sterilizimit.
Ndërsa nën hetim është ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili është vendosur në masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit” dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Sipas vendimit Beqaj duhet të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditën e premte, ora 15.30.
Nga ana tjetër, kontrata e dosjes së Sterilizimit u zhduk gjatë kohës që Artjola (Ola) Zaimi (Kurtulaj), ka qenë shefe protokolli në Ministrinë e Shëndetësisë, aty ku SPAK dhe BKH zbarkuan për të sekuestruar dokumentet e nevojshme në momentin që nisën hetimet për koncensionin e sterilizimit. Në këtë mënyrë, ajo shmangu daljen e emrit të bashkëshortit të saj, Ermal Kurtulaj, si i përfshirë në këtë skandal bashkë me Beqajn, por jo për shumë kohë. Kjo gjë është konfirmuar edhe nga vetë SPAK që ka deklaruar se për hetimet po punon mbi një kopje të njehsuar të kontratës, dërguar nga Ministria e Shëndetësisë./ZËRI