
TIRANË- Këtë të hënë në Komisionin e Ligjeve, është diskutuar projektligji për “Sigurinë Kibernetike”, mbi të cilin do të veprojë Agjencia për Sigurinë Kibernetike. Një agjenci e krijuar së fundmi dhe që ka për qëllim sigurinë kibernetike të vendit në një kohë që sulmet ndaj vendit tonë janë shtuar së fundmi, ku nuk kanë kursyer as institucionet e rëndësishme të vendit.
Por ky pr/ligj është parë me rezerva nga deputetët e Partisë Socialiste, Pandeli Majko dhe Plarent Ndreca. Sipas këtij të fundit në një nga pikat e pr/ligjit, konkretisht në nenin 7 të tij ku përcaktohet se Drejtori i Përgjithshëm dhe nëpunësit e njësive teknike të përmbajtjes së Autoritetit, përveç pagës sipas kategorive të pagës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune, në masën deri në 800 000 (tetëqind mijë) lekë në muaj.
Sipas Plarent Ndrecës, kjo është dicka e ekzagjeruar. Por për kreun e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike Igli Tafa, kjo është e vetmja mënyrë për të tërheqeur rreth vetes ekspertët më të mirë të IT-së. Ndërsa për socialistin Pandeli Majko në projektligj nuk përcaktohet qartë roli që Agjencia do të ketë.
Ndërkohë në ndryshimet e Kodit Penal, është parashikuar që të vendoset një nen specifik, për "Terrorizmin kibernetik", ku do të përfshihen të gjtha sulmet kibernetike, vjedhjet e të dhënave, ndërhyrjet në sisteme apo viruset. Kjo vepër penale do të dënohet deri në 20 vite burg.
Diskutimet:
Plarent Ndreca: Në nenin 7 pika 5 ku trajtohet aspekti financiar, është një trajtim i ekzagjeruar. Është përcatkuar në këtë nen paga konkrete. Nuk mund të përcaktohet në ligj një pagë me vlerë konkrete dhe duhet të jetë në përputhje dhe me ligjin e pagave. Është shprehur 80 mijë lekë në muaj gjë që nuk duhet të jetë në ligj. Duhet të sqarohet proporcionaliteti i masës shtesë për natyrën e veçantë pune sepse më duket mjaft i lartë dhe jo në përputhje me vendimet e Këshillit të Ministrave që rregullojnë pagën e administratës publike. Duhet lënë KM që të vlerësojë masën e pagës dhe shumat.
Drejtori i AKCESK Igli Tafa: Këto mendje nuk mund ti gjejmë dot nëse nuk kemi një shpërblim. Ju e dini sa e vështirë është të gjejmë ekspertë dhe kemi menduar ta fusim në ligj për të dhënë qëndrueshmëri këtyre ekspertëve në mënyrë që të mbrojmë infrastrukturat e atdheut.
Plarent Ndreca: Lidhur me pagat më vjen keq por nuk gjeta argument të qëndrueshëm. Argumenti që përdoret që ka të bëjë me rëndësinë e personave që do të merren me këtë cështje bie dakord dhe jam shumë i qartë për rëndësinë e ekspertëve, por parashikimi në këtë ligj ju vështirëson marrjen e ekspertëve. Duhet në një akt nënligjor më fleksibël që ti nënshtrohet vlera e pagave, sesa ta përcaktoni në ligj. Bie dakord që në autoritetin për sigurinë kibernetike duhet të jenë më të mirët dhe më të mirëpaguarit. Por këtë nuk mund ta përcaktojë kuvendi por qeveria. Duhet hequr nga ligji dhe lënë në dorë të kryeministrisë sa herë duhet ndryshuar paga apo shtesave për natyrë të vecantë, si organ në varësi të kryeministrit.
Pandeli Majko: Të jem i sinqertë. Nuk jam i qartë nëse ne po krijojmë në parlament një agjenci të sigurisë kibernetike apo qendër koordinuese të sigurisë kibernetike. Këtë duhet të na e ndajnë mirë përfaqësuesit që kanë ardhur sot. Është qendër për koordinim dhe mirëinformim apo për mbrojtjen kibernetike. Nuk jam i qartë nga ligji për mënyrën si është ndërtuar, kush janë marrëdhëniet tuaja me institucionet kryesore të menaxhimit. Më duket se po çertifikojmë diçka që është e paqartë. E qartë do të jetë nëse do të ndodhë një ngjarje e rëndë ju do të quheni përgjegjës apo konferencë shtypi. Unë dua të di çfarë do të çerfitikoni. Nëse dikush nuk pranon apo vonon në çertifikim kush është përgjegjësia e tij. Keni dhënë vetëm një kundravajtje penale. Çfarë përgjegjësie mbani ju nëse një strukturë që ka çertifikimin tuaj hakerohet? Jepni konferencë shtypi? Ndiqeni penalisht? Do të kemi një strukturë që do të çertifikojë edhe nga e cila duhet të dridhen të gjitha strukturat shtetërore e private. Dje na doli një strukturë celulare që kanë hakeruar të dhënat e qytetarëve. Dmth shteti është gati në gjysmëemergjence për këtë çështje. Kështu që kur të na vini këtu mos na mbani shumë fjalë për rrogat. E kuptoj që është të rëndësishme porn a thoni ku jeni si jeni, çfarë po bëni. Ka një strukturë që është krijuar në ministrinë e Mbrojtjes e po ndihmohet nga NATO, pse nuk është vlerësuar të jeni nën ombrellën e ministrisë së Mbrojtjes apo të krijojmë një pazel tjetër. M ekëtë formë ligjore që ka ardhur po krijojmë një strukturë me specialistë të mirë që japin informacione po kush është përgjegjëia juaj nëse ndodh diçka? Informoni kryeministrin, shpallni emergjencën e më pas? Nëse sot një strukturë private që ka brenda shërbimet e qytetarëve e nuk është certifikuar nga ju çfarë ndodh? Keni krijuar ju standardet e çertifikimit?
Drejtori i AKCESK Igli Tafa: Nuk ekziston kurrë koncepti i riskut zero por jemi këtu për të krijuar një institucion modern. Sulmet kibernetike janë tejet të sofistikuar. Duam të krijojmë një skuadër mbrojtëse që tenton të mbrojë sa më shumë strukturat. Nuk mund të jetë në varësi të ministrisë së Mbrojtjes se biem në kundërshtim me ligjet e BE-së nëse përziejmë këto dy autoritete. Autoriteti kombëtar ushtarak mbron rrjetin e brendshëm ne mbrojmë 95 % të mbetur. Nëse hakohet sot një bankë apo institucion ka efekt të jashtëzakonshëm. Ne jemi për të ndihmuar ta parandalojmë. Kemi reflektuar nga sulmet e mëparshme. Nuk reflektojmë vetëm nga sulmet e Shqipërisë por duke qenë se njohim armikun, taktikën e teknikën kemi mësuar./ZËRI