
TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga protesta e thirrur nga Partia Demokatrike. Mësohet se në tubim nuk do të mungojë as fjalimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili mund të jetë live përmes lidhjeve online, pasi qëndron në arrest shtëpie, ose i regjistruar. Gjithashtu mësohet se për protestën është marrë rreth 4-5 orë leje në Polici.
Qytetarë nga e gjithë Shqipëria, mbështetës të opozitës, do t’i bashkohen nesër protestës që do të mbahet para Kryeministrisë, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në orën 17:30. Për herë të parë pas shumë kohësh, deputetët e opozitës, kryesisht demokratë, kanë qenë në një zë për të shkuar drejt protestës.
Ndërkohë përgatitjet për protestën kanë filluar nga dita e sotme, ku Policia ka marrë të gjitha masat, për të pajisur me kamera sigurie Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. ZËRI ka siguruar pamje të mesditës së sotme, ku në të gjitha institucionet më të rëndësishme, janë vënë kamera sigurie, në mënyrë që të identifikohen episode të dhunshme, në rast se do të ketë përgjatë protestës.
Në terren gjatë ditës së nesërme pritet që të jenë 1100 efektivë policie, duke nisur nga FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës. Në gadishmëri do të jenë edhe forcat RENEA, si dhe në disa pika të ndryshme të qendrës së Tiranës, do të jenë të instaluar autobote me ujë, të cilat do të bëjnë edhe shpërndarjen e protestuesve, në rast se do të ketë incidente./ZËRI