Aktualitet

Ishin nga Fushë Kruja? Entjan Nikulaj u ndoq për 3 orë para se të vritej, lidhja me aksionin në Fushë Kuqe

Plumbat e plagosën rëndë, por i riu nuk mundi që ti shpëtonte plagëve të marra në spital, ku edhe ndërroi jetë thuajse një orë pas atentatit.

k.m.

Ishin nga Fushë Kruja? Entjan Nikulaj u ndoq për 3 orë para se
Entjan Nikulaj

LEZHË- Entjan Nikulaj u vra më 2 dhjetor. 7 plumba i zunë 'pritë' teksa ai po kthehej për në banesën e tij, në Shëngjin të Lezhës. I riu, 40 vjeç, pa precedentë të mëparshëm kriminalë ishte shënjestra e radhës nga familja Nikulaj për t'u eliminuar. Plumbat e plagosën rëndë, por i riu nuk mundi që ti shpëtonte plagëve të marra në spital, ku edhe ndërroi jetë thuajse një orë pas atentatit. Deri sot, nuk ka asnjë person të dyshuar. Megjithatë lëvizjet e tyre janë zbuluar nga grupi hetimor.

3 persona, nuk dihet nëse janë atentatorët, e ndoqën viktimën për disa ditë me radhë. Kërkonin që të mësonin me përpikmëri të gjitha lëvizjet e tij, e pasi u siguruan, ishin gati! Targat i kishin vjedhur në Kombinat 5 ditë para ngjarjes, armët i kishin siguruar e po ashtu edhe makinën. Ditën e vrasjen, për rreth 3 orë, 3 persona ndoqën 40-vjeçarin Entjan Nikulaj përpara se ta ekzekutonin atë rreth orës 21:30 të së shtunës në aksin Lezhë-Shkodër.

Kjo e dhënë e përftuar nga grupi hetimor ka dalë nga kamerat e sigurisë në zonat që është pikasur BMW, e cila ka ardhur nga Fushë Kruja, andej edhe ku u kthye për të djegur mjetin e përdorur për krimin. BMW-ja, pas krimit, u dogj në zonën e Rinasit, sërish në një zonë ku mungonin kamerat e sigurisë. Detaj ky që tregon se autorët e njihnin zonën dhe ishin të kujdesshëm në 'punën' që kishin marrë përsipër që të kryenin. Duke marrë parasysh të gjitha detajet e mësipërme, dyshohet se grupi që ka marrë përsipër ekzekutimin vepron në zonën Fushë-Krujës, Krujës dhe përreth saj. Këtë fakt e forcon edhe më shumë aksioni i sotëm i Policisë së Shtetit në Fushë Kuqë. Aleks Lulashi u vendos në pranga pasi banesën e tij të braktisur e kishte kthyer në një 'varrezë/fabrikë makinash'.

Kishte gjendje doreza, veshje kamuflash, targa false, tritol, fill për lëndën plasëse. E po ashtu, edhe disa makina që ishin duke u modifikuar. disa prej tyre u ishte ndyshuar shasia, për t'i bërë të pakapshme pas përdorimit të tyre në ngjarje kriminale. Vetë Policia nuk e ka lidhur aksionin me vrasjen, por lihet të kuptohet se goditja ka ndodhur gjatë 'krehjes' së zonës. 

Edhe pse dyshohet se për vrasjen mund të jenë pajtuar vrasës me pagesë, sërish hakmarrja është pista kryesore që po ndiqet për zbardhjen e kësaj ngjarje. Entjan Nikulaj është djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, i cili u vra më 19 prill në Shëngjin. Për këtë vrasje është akuzuar si urdhërues Edmond Haxhia, nip i fisit Lekstakaj. Nga Lekstakaj, pas vrasjes së Ardianit, u qëllua për vdekje Nikolini, i cili kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer në Shqipëri. E me vrasjen e Enos, zinxhiri i hakmarrjes vazhdon, derisa drejtësia të veprojë./ZËRI

Poll

MOS HUMB