
PRISHTINË – Qindra qytetarë u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të mbajtur një marshim-protestë, për vrasjen mizore të Liridona Ademajt, e cila dyshohet se është vrarë me urdhër nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Protestuesit mbanin pankarta në duar me mbishkrimet: “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, “Edhe sa gra të vrara”, “Drejtësi për gratë e vrara”, “Liri, barazi, solidaritet etj”, "Drejtësi për Lidirona Ademajn".






Gjithashtu, protestuesit kanë thirrur në kor “Poshtë patriarkati”. Liridona Ademaj u vra në fshatin Bërnicë në Prishtinë. Gjykata e Prishtinës ka caktuar 1 muaj paraburgim për bashkëshortin e saj, Naim Murselin (organizator), Granit Plavën (ekzekutor) dhe Kushtrim Kokallën. Ky i fundit dyshohet se ka arritur marrëveshje për të kryer vrasjen penale të vrasjes së rëndë.
Në protestë dhe familjarë të Liridona Ademajt
Në këtë protestë kanë marrë pjesë edhe deputetë dhe përfaqësues të institucioneve. T7 raporton se në protestë gjithashtu ishin të pranishëm edhe familjarë të viktimës. Ata ishin veshur me bluza, ku ishte stampuar fotografia e Liridonës.
Protestë-marshim edhe në Shkodër e Fier
Një tjetër protestë është mbajtur ditën e sotme për vrasjen mizore të Liridona Ademajt. Vajzat dhe gratë e Shkodrës kanë protestuar për ngjarjen e rëndë. Ata kanë marshuar në heshtje, për vrasjen e Ademajt. Protesta kishte moton “NeLiriDona” dhe u mbajt në qendër të qytetit. Pastaj, protestueset kanë ndezur edhe qirinj. Protestueset u shprehën se gratë duhet të trajtohen të barabarta me burrat.
Një protestuese ka deklaruar se rasti tregon se po cenohet gruaja dhe mbi të gjitha familja shqiptare. “Ky rast është shumë i rëndë dhe tregon se është duke u cënuar gruaja dhe familja shqiptare. Duhet të mësojmë vajzat tona, që të kenë të drejtën e fjalës dhe të jenë të barabarta me meshkujt. Të drejtat e femrave nuk duhet të shkelen”, tha një protestuese. Ndërsa një tjetër grua, që kishte dalë në protestë deklaroi se ka një djalë dhe se duhet ta mësojë atë të respektojë vajzat dhe gratë. “Unë si nënë kam përgjegjësinë që të eduoj djalin tim, që ai të respektojë gratë dhe vajzat. Të gjithë ne duhet të edukojmë djemtë tanë, nga këtu nis gjithçka”, deklaroi ajo.

Një tjetër marshim për Liridonën është zhvilluar gjatë ditës së sotme edhe në qytetin e Fierit. Marshimit i janë bashkuar edhe efektivë të policisë. “Ne duhet të parandalojmë dhunën ndaj grave më së pari, që mos të mbërrijmë më pas në forma ekstreme si vrasja. Nëse ne do të investojmë për të parandaluar dhunën, atëherë do të bëjmë gjënë më të mirë dhe do të kemi sa më pak dhunë”, tha një aktiviste. Protestueset mbanin në duar pankarta të ndryshme si “Fund dhunës ndaj grave e vajzave”, “Të elimimohet dhuna ndaj vajzave” etj.

Në Prishtinë ndizen qirinj për vrasjen e Liridonës
Në Prishtinë janë ndezur qirinj nga qytetarët, në shenjë nderimi dhe dhimbje për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor në fshatin Bërnicë të kryeqytetit të Kosovës. Një nga gratë që vendosi qiri, deklaroi se ndjen dhimbjen e madhe të familjes Ademaj dhe se do donte që asnjë grua të mos jetë pre e dhunës familjare ose çdo trajte të mundshme të dhunës. “Kjo mund t’i ndodhë çdokujt, nëse nuk edukojmë djemtë tanë. Bashkëndjej dhimbjen e madhe me familjen Ademaj. Duhet ndaluar dhuna ndaj grave, në çdo formë që paraqitet”, tha gruaja, që më pas vendosi qiri në një zonë mjaft të frekuentuar të Prishtinës.

Zyrtarët e lartë të shtetit morën pjesë në rivarrimin e Liridona Ademajt
Në ceremoninë e rivarrimit të Liridona Ademajt, që u vra me urdhër të bashkëshortit të saj, ka marrë pjesë edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla. Pjesëmarrëse në rivarrim kanë qenë edhe ministret e kabinetit të qeverisë Kurti, Donika Gërvalla dhe Rozeta Hajdari. Me kërkesën e familjes Ademaj, trupi i Liridonës u zhvarros nga fshati Cërmjan i Gjakovës dhe u rivarros në Rracaj, fshati i lindjes së 30-vjeçares.

Prokuroria e Kosovës miratoi kërkesën e familjes për rivarrosjen e 30-vjeçares, e cila u vra në mënyrë mizore, pas një skenari që dyshohet se e ka përgatitur bashkëshorti i saj Naim Murseli. Të tre të pandehurit kanë dalë përpara gjykatës dhe janë lënë në burg.

Autoritetet e Kosovës ende nuk kanë një arsye zyrtare se përse ka ndodhur vrasja. Vrasja e Liridonës ka shkaktuar një zemërim të madh publik. Kjo vrasje ishte raportuar fillimisht si grabitje, ndërsa më vonë rezultoi se ishte një ekzekutim gjakftohtë. Zemërimi është rritur akoma më tepër, pasi bashkëshorti vrasës ishte në ceremoninë e varrimit të Liridonës.
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim. /Zëri.ai/