
TIRANË – Është zhvilluar një tjetër seancë gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Këtë herë në seancë ka folur vëllai i Arsen Ramës, Abdyl Rama, i infiltruari i policisë.
Ai ka thënë se persona të caktuar, që janë prezantuar si miq të Belerit, i kanë ofruar azil politik, në këmbim të tërheqjes së padisë. “Persona të caktuar, që janë miq të Fredi Belerit më kanë ofruar azil politik që të tërheq padinë”, ka thënë ai.
Abdyl Ramaka thë gjithashtu se që kur është arrestuar Fredi Beleri, biznesi i tyre në Himarë ka falimentuar, pasi nuk iu blen më njeri asgjë. Sipas dëshmisë së Abdyl Ramës, atij dhe vëllait Arsenit, nuk i flet askush më në Himarë. "Në një ditë duke ikur në Livadh me motor më preu rrugën një person dhe që në duar dukej sikur mbante një armë, më ka kërcënuar dhe sharë greqisht nga nëna që më ka vdekur. Që kur u arrestua Fredi Beleri ne na ka falimentuar biznesi, sepse nuk na blen më njeri peshk si dhe në Himarë nuk na flet më njeri", tha Abdyl Rama në dëshminë e tij në gjyq.
Ndërsa, vetë Fredi Beleri ka refuzuar që të dëshmojë në seancë gjyqësore. Ai ka thënë se nuk dëshmon, për shkak se nuk beson tek Prokuroria. Sipas tij, në dosje ka dokumente të falsifikuara. “Do të dëshmoja nëse do kisha besim tek drejtësia. Mirëpo në dosje ka dokumente të falsifikuara”, ka thënë Beleri.
Çështja e Fredi Belerit është duke u ndjekur nga afër nga ambasadorja greke Konstantina Kamitsi. Seanca e kaluar u shty, për shkak se dëshmitari kyç Arsen Rama nuk është gjetur, edhe pse ishte kërkuar nga ana e Prokurorisë dhe e mbrojtjes. Seanca gjyqësore e radhës mësohet se do të mbahet më datë 19 dhjetor, ora 14:30.
Avokati i Belerit: Abdyl dhe Arsen Rama përdoren nga policia
Avokati i Fredi Belerit, Geni Gjyzari pasi ka përfunduar seanca e sotme gjyqësore, ka dhënë një deklaratë për mediat. Ai ka thënë se dëshmitarët në procesin e Belerit, Abdyl dhe Arsen Rama janë dy persona të dënuar nga gjykatat, që përdoren nga policia.

“Një nga dëshmitarët kryesorë të këtij procesi, Abdyl Rama nuk është në Shqipëri dhe sipas sistemit TIMS rezulton se ka dalë nga Shqipëria më 22 korrik dhe prej asaj kohe nuk ka hyrë më në territorin shqiptar. Abdyl dhe Arsen Rama janë dënuar 2-3 herë në gjykatat shqiptare për disa çështje. Abdyl Ramën nuk e gjejnë dot. Janë 2 vëllezër që kanë organizuar të gjithë këtë. Njëri vëlla mbron tjetrin. Janë të dënuar të dy dhe përdoren nga policia”, ka thënë avokati i Fredi Belerit, Geni Gjyzari.
I zgjedhur nga votat e qytetarëve kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është arrestuar më datë 12 maj 2023. Ai akuzohet për veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Banorë të Himarës kanë thënë se atyre iu janë premtuar para, në këmbim të votës./Zëri.ai/