Aktualitet

Vrasja e Behar Sofisë, SPAK kërkon 127 vite burg për 5 të pandehurit

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 30 vite burg për secilin nga 4 të pandehurit, të akuzuar për vrasjen e Behar Sofisë në Tiranë. Ndërsa 7 vite burg u kërkuan për Ernejt Shytin, i cili bashkëpunoi me drejtësinë.

D.XH
Vrasja e Behar Sofisë, SPAK kërkon 127 vite burg për 5 të
Behar Sofia

TIRANË – Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 30 vite burg për secilin prej 4 të pandehurve të akuzuar për vrasjen e Behar Sofisë. Ndërsa, për bashkëpuntëorin e drejtësisë Ernejt Shytin është kërkuar 7 vite burg.  Janë kërkuar 30 vite burg për shtetasit Bujar Leza, Skënder Vathi, Leonard Xhixha, Xhuljano Visha. Vrasja e Behar Sofisë ndodhi në vitin 2021. Ndërsa, personi që dyshohet se dha urdhrin për ekzekutimin e Behar Sofisë, Jemin Sheraj, është ende në kërkim. 

Gjatë gjithë këtij viti, gjatë seancave gjyqësore, Ernejt Shyti ka treguar sesi ai kishte marrë porosi për të kryer krimin. Ai ka deklaruar se përpos se të vriste Sofinë, kishte marrë porosi që të ekzekutojë edhe 2 persona të tjerë, për të cilat nuk kishte pasur në dispozicion emra dhe fotografi. Ai ka thënë se përpara vrasjes, kishte vënë nën vëzhgim viktimën për së paku 2 muaj, deri ditën e vrasjes. Shyti tha se pas kryerjes së krimit, do të merrte 50 milionë lekë të vjetra. 

“Disa ditë para ngjarjes, e kam ndjekur Behar Sofinë nga Piramida deri tek ish-Ekspozita. E identifikova, por nuk e kreva dot vrasjen. Atentatin ndaj Behar Sofisë e bëra për 50 milionë lekë, paratë nuk i mora asnjëherë, pavarësisht se Xhuljano Visha më kishte thënë se do t'i merrja 3 ditë pas ngjarjes. Bujar Lezën e kam takuar për biçikletën, Xhuljano Visha më pas më ka pyetur edhe nëse do i ndërroja rrobat kur të kryeja ekzekutimin. Mësova se Bujari i kishte thënë Xhulios se edhe armën e kishte gjetur. Vrasjen më tha Visha se do e bënte për hasmëri, por se për çfarë dhe nga kush ishte porositur, nuk e di”, mësohet të ketë thënë Shyti.

Ai më tej ka treguar më tepër detaje për ditën e vrasjes së Sofisë. “Ditën e krimit, nuk m’u shkrep arma, e mbusha dhe pastaj qëllova dy herë. Skënder Vathi do më merrte te Liqeni Artificial, por nuk erdhi. Kam ikur drejt Malit të Zi me vëllanë dhe Xhuljano Vishën, nuk kemi ndaluar askund, as për të ngrënë. Për komunikim me anëtarët e grupit, kisha një telefon të markës “iPhone” që ma dha Xhuljano Visha, të cilit ia ktheva dhe një “Nokia” që m’a dha Leonard Xhixha. Ky i fundit, kur kam kryer vrasjen, ka qenë duke vëzhguar shënjestrën, kur kaloi te trotuari, më ka thënë se jam këtu afër dhe se po shkonte te lokali”, ka thënë i penduari i drejtësisë.

Behar Sofia u ekzekutua pranë shtëpisë së tij në Tiranë më datë 25 shkurt 2023. Sofia njihej edhe si eksponent i botës së krimit, pasi ka qenë i arrestuar në vitin 1998 në Turqi për trafik droge. Ai u qëllua me pistoletë selenciator pranë ish-Piramidës./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB