
KURBIN- Aleks Lulashi, 40 vjeç nga Gorrea e Fushë Kuqes kishte ngritur një bazë për grupet kriminale. 1 automjet, 5 motorë, 4 targa, tritol, kapuçë, doreza dhe veshje për kamuflazh, ishin materialet që u gjetën në banesën e Lulashit, të cilat ai do t’ua shiste grupeve kriminale për t’i përdorur në atentate dhe ngjarje të tjera të rënda. Mjetet, motorët e targat, rezultojnë të vjedhura.
Por cili ishte shënjestra? Për kë ishin grumbulluar këto materiale?
Vetë Lulashi nuk rezulton të jetë një person me precedentë penalë, por pas arrestimit në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, ai akuzohet për mbështetje në ngjarje kriminale dhe sigurimin e mjeteve për vrasje.
Vetëm pak ditë më parë në Lezhë u vra Entjan (Eno) Nikulaj, por ende nuk dihet nëse aksioni i sotëm ka lidhje me vrasjen e 40-vjeçarit.