Aktualitet

Në burg nga Shtatori, GJKKO liron të dashurën e Laert Haxhisë

Asaj i ndalohet që të dalë jashtë vendit deri në përfundim të hetimeve

E.K
Në burg nga Shtatori, GJKKO liron të dashurën e Laert
Klea Gjata

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka liruar nga burgu Klea Gjatën, të dashurën e Laert Haxhiut.

Gjata u lirua me masën 'ndalim dalje jashtë vendit', ndërsa arrestimi i saj u bë pas dëshmisë se bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani.

Ajo u arrestua shtatorin e kaluar për 'moskallëzim krimi' dhe 'përkrahje të autorit të krimit'.

Vetë Haxhiu është në paraburgim në Greqi, në pritje të ekstradimit, pasi është shpallur në kërkim nga GJKKO, si porositës i 6 vrasjeve që kanë ndodhur në Shqipëri dhe shtetin helen.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 19.03.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj Klea Gjata me vendimin Nr. 690, datë 01.10.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan (me vleftësim ndalimi të saj më datë 27.09.2023), e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” të parashikuar nga nenet 300 dhe 302 të Kodit Penal, me masën e sigurimit “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, duke urdhëruar lirimin e saj dhe të mos largohet nga territori shqiptar pa autorizimin e gjykatës.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe dhe 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 175, datë 21.03.2024, vendosi:

1.Pranimin e kërkesës të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

2.Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj personit nën hetim Klea Gjata me vendimin Nr. 690, datë 01.10.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale.

3.Urdhërohet personi nën hetim Klea Gjata të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pik1 të K.Pr.Penale “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

4.Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjerë identifikues të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim Klea Gjata.

5.Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim Klea Gjata, nga ambjentet e paraburgimit nëse nuk mbahet apo nëse nuk duhet të mbahet e arrestuar, e ndaluar apo e dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.

6.Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

7.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

Tiranë, më datë 21.03.2024

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB