Aktualitet

Kaosi me Air Albania, e pëson dhe Meta, mbetet në Stamboll. Kompania: Na sulmuan shpendët!

Kreu i Partisë së Lirisë ka qenë një prej udhëtarëve të mbetur në Stamboll. Ai tregon se kompania nuk ka pranuar që të sigurojë akomodimin në hotel edhe pse kishte një biletë business class

E.K
Kaosi me Air Albania, e pëson dhe Meta, mbetet në Stamboll. Kompania:
Meta dhe Ait Albania

TIRANË- Kjo fundjavë ka qënë tejet e vështirë për të gjithë udhëtarët e Air Albania, që kishin prerë një biletë drejt Stambollit apo Milanos, dhe e anasjellta, për shkak se janë përballur me shtyrjen e fluturimeve, ndërsa kompanisë i është dashur më shumë se 48 orë për të dalë në një sqarim publik.

Në mesin e qindra qytetarëve, që kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e Stambollit ka qenë dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, së bashku me ish-ministrin Edmond Panariti, të cilët po ktheheshin nga një vizitë pune në forumin e BAKU-së. Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkruan se kjo është hera e dytë që i ndodh të ketë probleme me fluturimet e Air Albania, dhe shton se kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu.

Meta shprehet se është dashur që të bëjë debat, që kompania ajrore t’i siguronte akomodimin në hotel, edhe pse shtyrja e fluturimit ishte në përgjegjësinë e tyre.

“Air Albania nuk duhet të vazhdojë më kështu! Mbrëmë më qëlloi të humbisja fluturimin nga Stambolli në Tiranë për shkak se Air Albania anulloi fluturimin pa paralajmërim në kohën e duhur! Jo vetëm kaq por u desh të insistonim bashkë me ish-Ministrin e Jashtëm Prof. Edmond Panaritin që të merrnin përsipër akomodimin në hotel për më tepër që mikpritësit tanë në Baku i kishin paguar biletat tona në business.

Ndërkohë sot ne avion takuam shumë qytetarë të revoltuar se disa prej tyre kishin fjetur në aeroport dhe e kishin rast të përsëritur. Ndërsa një zonjë që jetonte në Kaliforni edhe pse i kishin zgjidhur akomodimin në hotel tha se kjo ishte hera e pestë që i ndodhte me Air Albania dhe s’kishte më ndërmend ta provonte këtë torturë.

Për mua personalisht është hera e dytë por Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e saj përpara qytetarëve në mënyrë transparente se justifikimet që zogjtë kanë sulmuar motorët nuk shkojnë më. Ose të paktën t’i ndryshojë emrin kompanisë!”, shkruan Meta në postimin e tij në rrjetet sociale.

Gjatë ditës së djeshme ZËRI solli shqetësimin e qindra qytetarëve që iu ishte shtyrë apo anuluar fluturimi nga Stambolli drejt Tiranës dhe e anasjellta, ndërsa kompania ‘Air Albania’ do të bënte një reagim të shkurtër vetëm gjatë orëve të mbrëmjes. Pa pranuar problemin në mënyrë të përgjithshme, kompania i lidhte vonesat vetëm me sulmin që i kishin bërë shpendët njërit prej avionëve, që më pas do të duhej të riparohej.

“AIR ALBANIA RIKTHEN NË KOHË REKORD FLUTURIMET ME STAMBOLLIN & MILANON

Air Albania dëshiron të qetësojë pasagjerët në lidhje me ndërprerjet e fundit të fluturimeve me Stambollin dhe Milanon.

Dje në mëngjes, një nga avionët Airbus të Air Albania pësoi një "sulm" shpendësh në Tirane, një fenomen i shpeshtë në këtë sezon të vitit, duke rezultuar në vonesa dhe anulime të pashmangshme.

Stafet tona u vunë menjëherë në komunikim me Airbus dhe teknikët më të mirë të Turkish Airlines për të përshpejtuar procesin e riparimit. Me kënaqësi konfirmojmë se riparimet e nevojshme kanë përfunduar dhe avioni është tashmë plotësisht operacional.

Duke kërkuar mirëkuptimin për çdo shqetësim të shkaktuar, ne sigurojmë pasagjerët tanë se siguria e tyre mbetet prioriteti ynë kryesor. Për ndihmë ose pyetje të mëtejshme, ju lutemi kontaktoni ekipet tonë të shërbimit në terren dhe

Call Center 24/7 +355 4 224 6000”, thuhet në reagimin e kompanisë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB