Aktualitet

Ekstradimi i Dritan Rexhepit, Ministria e Drejtësisë iu dorëzon dosjen autoriteteve turke

A do të arrijë Shqipëria që të bindë Turqinë për ekstradimin e Rexhepit, kur kërkohet dhe nga shtete të tjera?

E.K
Ekstradimi i Dritan Rexhepit, Ministria e Drejtësisë iu dorëzon
Dritan Rexhepi

TIRANË- Ministria e Drejtësisë i ka dorëzuar ditën e sotme autoriteteve turke, kërkesën dhe dosjen për ekstradimin e Dritan Rexhepit në Shqipëri, pas arrestimit të tij në datën 9 Nëntor në një lagje në periferi të Stambollit. Rexhepi kërkohet në Shqipëri si porositës për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ngjarje kjo e ndodhur 4 vite më parë, pas konfliktit me vëllezërit e tij për një sasi kokaine.

“Ministria e Drejtësisë ju bën me dije se ditën e sotme, më datë 22.11.2023, ka përcjellë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për t’u dërguar në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë së Turqisë, dosjen e përgatitur me kërkesën për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit, Dritan Rexhepi! Dosja e tij, me kërkesën për ekstradimin e shtetasit Dritan Rexhepi, është nisur në bazë të kërkesave të paraqitura nga SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë datë, 16.11.2023 dhe 17.11 2023”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Rexhepi u vu në pranga në Turqi, në sajë të bashkëpunimit mes autoriteteve turke dhe atyre italiane, ndërkohë që kishte arritur të largohej nga burgu në Ekuador përmes një arresti shtëpie fillimisht, dhe më pas një arratie nga vendi. Në momentin e arrestimit, Rexhepi ishte në shoqërinë e gruas së tij kolumbiane dhe dy fëmijëve. Ai dyshohet si kreu i një klani të fuqishëm të trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine për në Europë. Përveç shpalljes në kërkim nga Shqipëria, ai ka llogari të hapura me drejtësinë dhe në Spanjë, Itali dhe Britani të Madhe.

Rexhepi është cilësuar dhe si një mjeshtër i arratisjeve nga burgu. Fillimisht ai u arratis në vitin 2007 nga policia e Durrësit pasi këta të fundit e morën për t’i bërë një foto e për ta shpërndarë në media. Ndërkohë një vit më pas ai kreu një arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali. Pak më vonë një tjetër arrati u regjistrua në Belgjikë.

Ai doli nga Kakavija me pasaportën e falsifikuar me gjeneralitetet Lulzim Murataj –pasaportë me të cilën u arrestua në Ekuador- dhe prej datës 16 nëntor 2013, Dritan Rexhepi nuk është kthyer më në Shqipëri. A do të vijë tashmë si i arrestuar? Kjo mbetet ende një pikëpyetje.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB