
TIRANË- SPAK ka mbyllur hetimet për Ilir Kapetanin, ish-inspektor i Agjensisë për Kthimin dhe Kompesimin e Pronave, pasi akuzohet për veprën penale të korrupsionit.
Kapetani u arrestua në muajin Mars të këtij viti, pas një hetimi 1 vjeccar nga ana e SPAK. Ai iu merrte ish-pronarëve nga 30 mijë deri në 300 mijë lekë të reja. Kapetani merrte përsipër që nëpërmjet rryshfetit të shqyrtonte dosjet e ish-pronarëve me përparësi.
Ai u premtonte atyre kompensimin financiar, gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës. Mesohet se Ilir Kapetani i takonte vetë personat dhe ju merrte paratë. Për të njëjtën çështje u hetuan edhe 9 qytetarë të cilët akuzohen gjithashtu për korrupsion.
NJOFTIMI I SPAK:
Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.49 të vitit 2021.
Në përfundim të veprimeve hetimore, për këtë procedim penal është provuar se, i pandehuri Ilir Kapetani, Specialist i Shqyrtimit të Dosjeve pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ka kërkuar dhe ka marrë përfitime të parregullta, në formën e shumave monetare, nga qytetarë të ndryshëm dhe nga trashgimtarë të ish pronarëve, në këmbim të premtimit për të siguruar kompensimin financiar, gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës.
I pandehuri Ilir Kapetani është akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, të kryer në 22 (njëzetë e dy) raste.
Ndërkohë, të pandehurit D.L., A.G., D.D., V.Z., I.L., XH.V., G.T., L.A., J.Z., A.H., V.B., I.K., R.M., L.B., M.I., Y.N. dhe M.SH, të cilët janë subjektet që kanë dhënë përfitimet e paligjshme, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të kësaj çështje penale.