Aktualitet

Takimi në stan me të ‘fortin e Kukësit’, Breçani i tha se po përgjohej! Përdori telefonin e Dumanit

Ka dy episode që rëndojnë pozitën e Breçanit sipas SPAK, i pari një takim që ka pasur me Bujar Germizin, mik nga koha e policisë, dhe 300 mijë euro që djali i ka marrë nga Ervin Mata

E.K
Takimi në stan me të ‘fortin e Kukësit’,
4 personat pjese e grupit kriminal

TIRANË- Erzen Breçani, ish-drejtues policie, dhe njëherësh ish-kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike, u arrestua të hënën në kuadër të goditjes së një grupi kriminal, i cili trafikonte sasi të mëdha kokaine nga vendet e Amerikës Latine, por edhe kishte kryer dhe organizuar plane për eleminimin fizik të disa personave. Në dosjen e SPAK, Breçani evidentohet në disa episode, fillimisht për lidhjen e tij familjare me Ervin Matën, motrën e të cilit e kishte nusen e djalit të tij, por edhe për shoqërinë me të fortin e Kukësit Bujar Germizi.

Ky i fundit në dosjen e SPAK thuhej se kishte marrë përsipër eleminimin fizik të dy vëllezërve shqiptarë që jetonin në Britaninë e Madhe, ndërkohë që prej vitesh kishte rritur influencën e tij në qytetin e Kukësit. Për këto lidhje, Breçani akuzohet zyrtarisht për përkrahjen e autorit të krimit, në këtë rast mikun e tij, Germinë, dhe nga ana tjetër për pastrim parash, për një shumë prej 300 mijë eurosh që djali i tij kishte marrë nga Ervin Mata.

Gazetarja Klodiana Lala, duke iu referuar dosjes së SPAK, tha se Breçani, gjatë një takimi që ka pasur me Germinë në një stan në zonën e Kukësit, e ka vënë atë në dijeni që ishte duke u përgjuar nga ana e policisë. Por jo vetëm kaq! Breçani ka marrë nga Gërmia një celular që përdorej për komunikime të koduara që më herët ishte përdorur nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani. Këtij të fundit për kalimet e shpeshta nga Kosova në Shqipëri, duke shmangur kontrollet e policisë, rruga i ishte shtruar pikërisht nga Bujar Gërmia.

“Z.Breçani ka dy akuza. Akuza e parë ka të bëjë për përkrahje të autorit të krimit, që është rast i Bujar Gërmizit. Erzen Breçani dhe Bujar Gërmizi njihen prej shumë vitesh për shkak se Bujar Gërmizi vinte nga radhët e policisë dhe vinte nga radhët e forcave speciale. Dhe njiheshin. Dhe kanë qëndruar në një stan në zonën e Kukësit, ku një moment, z.Breçani ka thënë që po përgjohej nga ana e policisë. Dhe në këto momente, thotë SPAK, ai ka përkrahur një autor të krimit. Ka një detaj tjetër. Bujar Gërmizi në atë kohë ishte njeriu që mbështeste dhe strehonte të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani.

Kjo është e dokumentuar, e thotë edhe Nuredin Dumani. Të gjitha hyrje-daljet e Nuredin Dumanit nga Morina në drejtim të Kosovës dhe në kthim, Nuredin Dumani i kalonte pa asnjë problem për shkak të mbështetjes dhe fuqisë që kishte Bujar Gërmizi. Në këtë aspekt, ai strehohej nga ana e Bujar Gërmizit. Dhe duke përkrahur Gërmizin, sipas prokurorisë, ka përkrahur edhe Nuredin Dumanin. Në këtë moment, z.Breçani ka pretenduar në praninë e avokatit ditën e sotme që ai e njeh si mik, ka biseduar dhe e këshilluar Gërmizin të ishte i kujdesshëm në komunikimet e tij për shkak se ishte oficer policie, por ka mohuar të kishte përfshirje në veprimtari kriminale. Një moment thuhet që Gërmizi i ka dhënë një celular të enkriptuar Erzen Breçanit, celular i cili është rimbushur kur është përdorur më herët nga Dumani. Kjo mbetet për t’u sqaruar”, tha Lala në emisionin Opinion.

Akuza tjetër, ajo e pastrimit të parave, sipas gazetares ka të bëjë me një shumë parash prej 300 mijë Eurosh që Breçani kishte marrë nga djali i tij.

“Ai dyshohet edhe për veprën penale të pastrimit të parave sepse ka marrë një shumë prej rreth 300 mijë Eurosh nga i biri. Dhe ai refuzonte paratë e Matës, por një moment ai i thotë djalit që ‘ti nuk duhet të merresh më me këtë punë’. Pra duket që ka dijeni për historinë e të birit, ‘nuk duhet të merresh më me këtë punë, sepse nuk duhet t’i bësh dëm Shqipërisë, nuk mund të më shkatërrosh mua’ e të tjera me radhë dhe ‘më ke dhënë fjalën që do kthehesh’.

Por më pas duket sikur është i dorëzuar, sikur e ka humbur përballjen me djalin, dhe një moment tjetër i thotë që po me këtë çfarë bëre? Nëse ti i bën paratë, mund të m’i sjellësh se më duhet të investoj tek një hidrocentral që po ndërtohej. Por nga ana tjetër, vëllai i Erzen Breçanit pretendon që këto para që janë përdorur për blerjen apo hidrocentralin, janë marrë përmes një kredie”, tha më tej gazetarja.

Djali i madh i Erzen Breçanit është një nga personat e akuzuar për trafik droge në këtë dosje dhe është i shpallur në kërkim. Djalin i Breçanit është i martuar me motrën e Ervin Matës, person i shpallur gjithashtu në kërkim për këtë dosje dhe konsideron si kreu i bandës së trafikut të drogës.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB