
TIRANË- Në dosjen e arrestimeve që çoi në pranga Erzen Breçanin, Bujar Gërmizin dhe shefin e komisariatit numër 6 në Tiranë, Dedan Gjoni, del në skenë dhe emri i një ish-deputeti të Partisë Demokratike. Lajmi u bë i ditur gjatë ditës së djeshme nga gazetarët e kronikës Eni Ferhati dhe Klodiana Lala, të cilët nuk preferuan që të jepnin emrin e tij, për të mos prishur sekretin hetimor.
Sipas gazetarëve, referuar dosjes së SPAK, Dedan Gjoni fliste me persona të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit për të siguruar vota për politikanin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, asokohe deputet.
“Dedan Gjoni ka një akuzë për shpërdorim detyre, ka qenë i përfshirë në fushatë për një deputet të opozitës, ai fliste me njerëz të botës së krimit në Britaninë e Madhe, ku iu kërkonte që të vinin dhe të votonin për politikanin në fjalë”, tha Lala.
Dosja për të pritet që të veçohet, ndërkohë që sipas gazetarëve në përgjimet e aplikacioneve të koduara ka shumë njerëz jo vetëm nga bota e politikës por edhe e medias, dhe SPAK i duhet një punë voluminoze për të bërë zbardhjen e plotë të implikimit të tyre në raste kriminale.
Politikani në fjalë në zgjedhjet e 2021, kur Gjoni komunikonte dhe me personazhe të botës së krimit në Britaninë e Madhe për të ardhur dhe për të votuar për të, ka qenë deputet, tashmë jo më.
SPAK ndërmorri një operacion për goditjen e një grupi kriminal, që trafikonte sasi të mëdha kokaine nga vendet e Amerikës Latine. Për grupin SPAK lëshoi 11 masa sigurie, nga të cilat 4 persona u arrestuan, 6 u shpallën në kërkim, dhe punonjësja e INTERPOL Jonida Babameto u la nën masën e detyrimit të paraqitjes. Grupi që dyshohet se drejtohej nga Ervin Mata, i cili është shpallur në kokainë, ka trafikuar rreth 1 ton drogë.
/Zëri.ai