Aktualitet

‘Para, makina e femra’, i riu shqiptar: Pse ëndërroj të punoj në Angli

Një i ri shqiptar shprehet se sheh shokët e tij që kthehen nga Anglia me 300 mijë deri 500 mijë paund, me makina të shtrenjta. Sipas tij, pasurimi të shtyn drejt paligjshmërisë.

D.XH
‘Para, makina e femra’, i riu shqiptar: Pse ëndërroj
Shqiptari

ANGLI - Teksa Mercedesi i errësuar me targa britanike ecën në rrugë, në timon shihet një djalosh rreth të njëzetave. Ende me disa qime në faqet e tij dhe me puçrra në mjekër, ai përkulet mbrapa dhe nxjerr një cigare nga dritarja.

“E bleva duke punuar disa muaj në Londër,” na thotë ai, duke shtuar me një buzëqeshje në fytyrë: “punova në ‘ndërtim’”.

Të gjithë e dinë se kjo nuk ishte e vërteta. Pavarësisht se sa nevojë mund të kishin ndërtuesit në Britaninë e Madhe për punë, nuk kishte mundësi që ky djalosh i dobët me tuta të fitonte aq sa për të blerë një Mercedez të shtrenjtë në një periudhë të shkurtër kohore. Ai e mori atë nga puna në një fermë kanabisi.

Shoferi i Mercezit ishte një nga shumë "djemtë londinez" që pamë gjatë udhëtimit tonë në Shqipëri këtë muaj. Nga malet e veriut deri në rrugët e frekuentuara të Tiranës, këta djem nuk hezitojnë të tregojnë veturat e shtrenjta që kanë. Pothuajse sa herë që flisnim me një person me të afërm në Britani, përmenden fermat e kanabisit. Njerëzit e afërt e dinë se ku punojnë të rinjtë, por ata thonë se është duke punuar në ndërtim, për të fshehur ‘punën’ e tyre të vërtetë.

Një i ri shqiptar tha për Express se dëshiron të punojë në ferma kanabisi, pasi do që të pasurohet si shokët e tij, që kanë tashmë makina dhe kanë hapur biznese.

“Unë shoh njerëz që kthehen nga Anglia me shuma prej 200 mijë deri në 500 mijë paundë. Ata blejnë shtëpi, blejnë makina të shtrenjta, shfaqen kudo nëpër rrugë, kanë vajzat më të mira”, deklaron i riu.

“Loku” thotë se nuk mund të jetosh dot në një vend ku fiton vetëm 4200 paundë në vit, ndërsa sheh moshatarët e tu, që kanë Mercedez dhe pasuri. Ai shprehet se pavarësisht paligjshmërisë, pasurimi të josh.

“Kam pasur një shok në Angli që ka një shtëpi bari. Më tha se është menaxher dhe se mund të punoja për të atje. Më tregoi se çdo gjë ishte gati, unë duhej vetëm të shkoja. Po e mendoja këtë, sepse kam nevojë për para. Ai më shpjegoi se puna nuk zgjat më tepër se 2 apo 3 muaj. Më duhet të merrem me bimët e kanabisit përditë. Sapo ata kultivohen, unë paguhem e rinisim punën. Unë marr 20% të vlerës së të korrave. Gjithçka varet nga mënyra se si ne punojmë. Nëse bëjmë një punë intensive, çdo ditë do të fitoj më shumë”, tregon i riu nga Shqipëria. 25-vjeçari ndër të tjera tregon se nuk lejohet që të dalë nga banesa, deri sa lënda narkotike të korrej. Ai po ashtu tregon se i është urdhër që nëse dikush futet për të grabitur “mallin”, duhet të dorëzohet, sepse ashtu nuk e prekin.

Britania ka qenë prej vitesh konsumatori më i madh i drogës në Evropë. Tregu i madh britanik dhe fitimprurës është një magnet për tregtarët e drogës nga e gjithë bota, kështu që nuk është çudi që bandat shqiptare, të cilat tashmë kanë marrë përsipër tregtinë e kokainës, fokusohen në Britani.

Por është tronditëse sesi mbjellja dhe trafiku i drogës ishte bërë një aktivitet i zakonshëm, që dikur konsiderohej krejtësisht tabu nga njerëzit në vendin e ish-bllokut komunist. Të rinjtë po braktisin diplomat universitare për të kaluar drejt Anglisë dhe për të rrezikuar vdekjen në prodhimin e drogës, ndërkohë që shqiptarët mesatarë punëtorë luftojnë për të blerë shtëpi në një treg të deformuar nga tregtarët e pastrimit të parave./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB