
TIRANË- Gjyqtarja Iliriana Olldashi, që nxori nga burgu Jamarbër Malltezin rezulton që të ketë qenë në konflikt interesi, pasi vetë ajo ka blerë apartament nga kompania “Homeplan” në kompleksin që është ndërtuar në truallin e ish-kompleksit Partizani.
Dokumentet që janë publikuar nga "Report tv", tregojnë se gjyqtarja ka blerë një apartament në vitin 2015 në kompleksin Magnet, nga kompania që është vënë nën sekuestro nga ana e prokurorisë së posaçme. Apartamenti i blerë nga Olldashi rezulton që të jetë me sipërfaqe 91 m2, dhe është blerë për 65 mijë euro.
Vetë gjyqtarja nuk e ka deklaruar këtë rast të kontaktit me kompaninë e Malltezit, në seancën që u mbajt në Apelin e Posaçëm. Gjatë ditës së djeshme ajo vendosi lehtësimin e masës për Malltezin, i cili ndodhej pas hekurave prej afro një muaji. Nga ana tjetër gjyqtarja la në fuqi vendimin e shkallës së parë 'detyrim paraqitje' për Sali Berishën.

Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor, dhe pas afro një muaj tashmë do të vijojë betejën e tij ligjore nga masa e arrestit të shtëpisë.
Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, në truallin e të cilit dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ndërtuar 17 pallate. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Malltezi ka përfituar nga Berisha, asokohe kryeministër që të merrte pronën e ish-familjarëve të tij, dhe për ta kthyer atë në një kompleks banimi. Sipas prokurorisë së Posaçme, Malltezi kishte fituar më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall.
/Zëri.ai