
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi nuk janë paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme, për të firmosur për mbylljen e hetimeve, sa i takon çështjes së privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Në vend të tyre në SPAK u paraqitën avokatët mbrojtës, të cilët u njohën me aktet përfundimtare të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa dosja pritet që të kalojë për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Do të jetë pikërisht kjo e fundit që do të vendosë nëse hetimet e SPAK janë të plota dhe shteruese, dhe do të çojë më tej procesin gjyqësor, apo do të kthejë pas dosjen për elementë shtesë.
Avokatja Klodiana Gjyzari u paraqit në orën 10.00 në Prokurorinë e Posaçme për të firmosur mbylljen e hetimeve të dosjes “Partizani” për kreun e opozitës, Sali Berisha dhe financieren Andia Pustina. Ndërkohë edhe avokati i Jamarbër Malltezit, Klodian Skënderi tërhoqi aktet hetimore.
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë Berishën për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas Prokurorisë, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t'iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Në dosjen e SPAK thuhej se dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi është bërë përfaqësues i familjeve që rezultonin pronare të tokës ku ndodhej ish-kompleksi Partizani, përmes prokurave, në të cilat premtohej se do të arrinin objektivat nëse vendosnin vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre. E gjitha është bërë në bashkëpunim me biznesmenin Fatmir Bektashi, që është vënë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për pastrim parash.
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur nga SPAK në vitin 2020, pas një denoncimi të bërë nga Taulat Balla, asokohe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Berisha i ka akuzuar dy prokurorët e dosjes, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, se janë pjesë e një organizate kriminale, me të cilën ai identifikon Prokurorinë e Posaçme.
Berisha dhe Malltezi ndodhen nën masën e sigurisë arrest shtëpie, që prej Tetorit të vitit të kaluar. Fillimisht për Berishën u dha masa e sigurimit detyrim paraqitje, por pas refuzimit të tij për t’u paraqitur para policisë gjyqësore, GJKKO vendosi ashpërsimin e masës në arrest shtëpie, në muajin Dhjetor.
Berisha e kundërshtoi masën e sigurisë detyrim paraqitje, të vendosur nga Gjykata me pretendimin se një kufizim i tillë nuk mund të jepej pa marrë aprovimin e Kuvendit. Për këtë çështje, ai e dërgoi padinë e tij në Gjykatën Kushtetuese, e cila njoftoi dje se do ta trajtojë këtë ankimim në datën 19 Nëntor.
Në ankimin e drejtuar Kushtetueses ish-kryeministri kërkon shfuqizimin e vendimit të dhënë nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme në tetor 2023, por edhe ata të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, që e lanë në fuqi masën.
Në thelbin e kërkesës së ish-kryeministrit është fakti se gjykatat kanë shkelur Kushtetutën duke caktuar një masë sigurie shtrënguese ndaj tij, pa marrë më parë autorizim nga Kuvendi i Republikës, për shkak të statusit të tij të deputetit.
Në Kushtetuese ankimi i Berishës do të shqyrtohet pa praninë e palëve, por vetëm mbi bazë dokumentesh. Në të njëjtën ditë, Kushtetuesja vendosi të kalojë në seancë plenare edhe ankimin e bërë nga dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, i cili kërkon shfuqizimin e masave të sigurisë të dhëna ndaj tij./ZËRI