Aktualitet

Dy ceremoni mortore të ndara! Alma Arrazi do të prehet në Durrës, fëmijët në Shkodër

Trupat e fëmijëve do të përcillen në banesën e fundit në Shkodër

E.K
Dy ceremoni mortore të ndara! Alma Arrazi do të prehet në
Alma dhe 3 femijet e saj

SHKODËR- Alma Arrazi, nëna e tre fëmijë që dyshohet se u vetëhodh së bashku me 3 të vegjlit e saj në lumin Buna, do të prehet larg tyre. Kjo për shkak se familjarët e Almës, kanë tërhequr mbrëmjen e djeshme trupin nga morgu, dhe e kanë dërguar atë në qytetin e Durrësit, ku do të bëhet dhe ceremonia mortore. Ndërkohë që trupat e 3 fëmijëve pritet që të varrosen sot në qytetin e Shkodrës, ndërsa babait të tyre i është refuzuar leja për të marrë pjesë në varrim. 

Trupi i Almës dhe djalit 3-vjeçar u gjetën ditën e djeshme, duke përmbyllur kështu dhe operacionin e kërkimit në lumin Buna, që zgjati për 3 ditë. Alma Arrazi dhe 3 fëmijët e saj dyshohet se janë vetëhedhur në lumë në datën 2 Maj, ndërkohë që një ditë më vonë u deklaruan të zhdukur në polici nga ana e babait të tyre Erdgys Arrazi. Ky i fundit mbahet nën masën e arrestit me burg, nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes.

Sipas prokurorisë dhe policisë, Erdgys Arrazi ka ushtruar dhunë psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, për shkak të lidhjeve jashtëmartesore që ai ka pasur. Teksa doli dje në ambientet e Gjykatës së Shkodrës, Arrazi nuk pranoi që të jepte asnjë deklaratë, duke thënë që ishte në gjendje të rënduar psikologjike.

Mbrojtja e tij ka pretenduar se Alma Arrazi ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, dhe ka marrë mjekim të vazhdueshëm për depresionin. Pavarësisht kërkesës për lirimin e kryefamiljarit, për shkak se sipas mbrojtjes mungojnë provat për dhunën e pretenduar, Gjykata vendosi lënien e tij në masën e sigurisë arrest me burg. /ZËRI

Poll

MOS HUMB