
SHKODËR- Ndryshe nga sa u raportua fillimisht, Erdgys Arrazi nuk do të marrë pjesë në varrimin e fëmijëve të tij. Edhe pse drejtoria e burgjeve i kishte dhënë leje Arrazit të merrte pjesë në ceremoninë mortore, policia nuk e ka marrë përsipër shoqërimin e tij.
Ditën e djeshme, Erdgys Arrazi u la në burg nga gjykata e Shkodrës ndërsa ai vetë deklaroi se ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe se do të flasë në një moment tjetër.
Arrazi kishte kërkuar leje që të ishte dhe në varrimin e vajzës së madhe, Ergesës, por nuk ishte lejuar nga ana e policisë.
Ndërkohë me vullnetin e familjarëve të saj, trupi i Alma Arrazit do të prehet në qytetin e Durrësit, dhe jo pranë tre fëmijëve të saj të mitur.
/ZËRI