
SHKODËR- Tragjedia në Shkodër, ku Alma Arrazi i dha fund jetës së bashku me 3 fëmijët e saj, është e përmasave të paimagjinueshme, ndërsa ditë pas dite dalin detaje, të shkaqeve që e shtynë nënën të ndërmerrte këtë akt ekstrem. Dashuria për babanë e fëmijëve të saj, por edhe pamundësia për t’i rritur fëmijët e vetme, e kishin shtyrë Almën disa herë që të falte tradhtinë. Rasti më i fundit ishte kur Erdgysi, i ishte betuar pranë varrit të babait të tij se do t’i jepte fund lidhjes jashtëmartesore. Problemet e çiftit kishin nisur pas kthimit të tyre nga Gjermania, vend ku ishin bërë edhe prindër të dy vajzave të tyre. Ka qenë gazetarja Dorjana Bezat ajo që ka dhënë detajet nga kjo marrëdhënie.
Dorjana Bezat: Ai ishte me katër klasë shkollë, kanë 9 vite diferencë, ku ajo është më e madhe se ky. Ajo kishte një arsim 8-vjeçar ndërsa ai 4-vjeçar fillor. Janë njohur nëpërmjet një kushërire me njëri-tjetrin, kanë emigruar në Gjermani, ku kanë jetuar në harmoni me njëri-tjetrin dhe kanë sjellë në jetë dy vajzat. Kthimi në Shqipëri pastaj ka qenë pika e kthesës, ku Ergysi nuk kishte më atë afrimitetin me familjen e tij, pavarësisht se sollën në jetë dhe fëmijën e tretë që tani është 3 vjeç. Gjatë këtyre tre viteve, ata nuk kanë konsumuar një martesë normale, ku herë pas here ai ka pasur marrëdhënie edhe me gra të tjera, ku më e fundit e ka tronditur aq shumë Almën. Ajo gjente në celularin e saj foto-video që ai bënte me mikeshat e tij dhe ajo e shpërndante me motrat e saj dhe tregonte sesa vuante që bashkëshorti i saj bënte këtë gjë.
Ajo ka pasur tentativa për divorc, ka marrë fëmijët dhe është larguar nga shtëpia. Në janar të këtij viti ka emigruar drejt Italisë ku u punësua dhe duke qenë se ndërtesa ku ata banonin, një kat i lënë i pa ndërtuar, ajo kishte marrë iniciativën të punonte, të siguronte të ardhura për të ndërtuar katin i cili është i papërfunduar dhe për të jetuar me fëmijët e saj edhe nëse ai do e përzinte, mjaftonte të ishte pranë fëmijëve të saj.
Ajo donte të divorcohej por donte të kishte dhe fëmijët, gjë që ai e pengonte. Episodi i fundit ishte në Janar kur ajo u largua nga Shqipëria, qëndroi një muaj në Itali dhe më pas bashkëshorti e mori në telefon duke i bërë një betim mbi varrin e babait të tij se “unë do të heq dorë nga lidhja që kam dhe i përkushtohem lidhjes”. Kjo me këtë betim u kthye në Shqipëri. Fëmijët nuk i mori në Itali sepse shkoi vetëm për të punuar. Fëmijët rrinin me të atin dhe vëllanë e të atit dhe bashkëshorten e tij. Ajo ishte në tentativë për t’i marrë fëmijët, por duhej një prokurë që ai nuk ia jepte.
/ZËRI