Aktualitet

Në shkollën e Ergesës dhe Gresës pllakos dhimbja, prindërit e fëmijëve: Keni humbur dy shoqe, i la mami në Shirokë

Shumë prej prindërve e kanë të vështirë që t’iua shpjegojnë fëmijëve të tyre në klasën e dytë, atë që ka ndodhur me dy motrat, shoqet e tyre

E.K
Në shkollën e Ergesës dhe Gresës pllakos dhimbja,
Pamje nga shkolla ku mesonin dy motrat

SHKODËR- Shkolla ‘Ndre Mjeda’ në Shkodër, ku shkonin në klasën e dytë dy motrat Ergesa dhe Gresa, që u gjetën të mbytura në lumin Buna, është e pllakosur nga dhimbja. Me lule në duar, shokët dhe shoqet e klasës së dy vajzave që humbën jetën tragjikisht, kanë kryer homazhe, edhe pse prindërit e kanë të vështirë që t’iua shpjegojnë tragjedinë që ka ndodhur.

Drejtuesit e shkollës, jashtë kamerave, kanë thënë se mësimi për shokët e klasës së dy vajzave nuk mund të bëhet normalisht. Ata kanë thënë se me vogëlushët do të zhvillohen orë argëtuese për të ndryshuar gjendjen emocionale të fëmijëve.

Ndërkohë që shumë prej prindërve shprehen se Almën e njihnin, por nuk kishin pikasur të ajo një gjendje aq të vështirë psikologjike.

“Vajza i ka pasur në klasë të dyja vajzat. Ishte shumë e vështirë, vajzës i thashë keni humbur dy shoqe sepse mami i la në Shirokë. Nuk mund t’ja shpjegoja ndryshe.

Një fatkeqësi, nuk kam fjalë, gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin kurrë. Shumë e dhimbshme, ngushëllime familjarëve, nuk kam fjalë. Vajza është e vogël për t’i kuptuar këto gjëra, u desh t’i anashkaloja disa gjëra”- u shprehën disa prej prindërve.

Mes të tjerash, një prej kushërirave të Alma Arrazit u tregoi se nuk e kishte parë kurrë të mërzitur 39 vjeçaren dhe as fëmijët e saj. Për ngjarjen ajo u shpreh tepër e tronditur duke thënë se nuk ka mundur t’ja shpjegojë vajzës së saj që i kishte në klasë dy vogëlushet trupat e të cilave u gjetën të pajeta.

“Kemi qenë shoqe, si tip kushërirash bashkë, por çfarë të bëjmë, deri këtu e paska pasur të shkruar. Nuk e di çfarë të them është një ngjarje shumë e rëndë. Vajzat i kemi pasur në një klasë, vajzës time nuk ia kam shpjeguar dot, u kam thënë që nuk i ke më shoqet në klasë. Kemi shkuar shumë mirë, kam pasur shumë marrëdhënie të mira, nuk e kam parë kurrë të shqetësuar apo të stresuar. Fëmijët po ashtu nuk kanë pasur stres, nuk i kam parë të qajnë në shkollë, kanë qenë shumë mirë”- u shpreh ajo. 

Trupat e dy motrave, Ergesa dhe Gresa Arrazi u gjetën të pajetë në lumin Buna, ndërkohë që polumbarët vijojnë kërkimet për gjetjen e Almës dhe djalit të saj 3-vjeçar.

Babai i 3 fëmijëve, Erdgys Arrazi është arrestuar nga policia, pasi akuzohet për shkaktimin e vetëvrasjes së bashkëshortëve dhe fëmijëve, pas dhunës në familje, por edhe lidhjeve jashtëmartesore që kishin rënduar gjendjen psikologjike të Almës.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB