
TIRANË- Selman Totraku kërcënonte prej kohësh ish-deputetin e Partisë Socialiste, Vladimir Kosta pasi besonte se ky i fundi i kishte dëmtuar banesën. Ndaj edhe duhet që ta dëmshpërblente. Ish-deputeti po ndërton një kompleks vilash buzë rrugës kryesore në zonën e Saukut, atje ku ka banesën edhe 24-vjeçari. Me pretendimin se për shkak të punimeve i ka dëmtuar shtëpinë, i kërkoi dëmshpërblim prej 200 milionë lekësh.
Por Kosta nuk ka pranuar që ta paguajë me arsyetimin se banesa e Totraku nuk ishte dëmtuar, megjithatë për të shuar konfliktin, kishte pranuar që banesa e tij të vlerësohej nga ekspertët. Mirëpo as ky propozim nuk e ka kënaqur të riun, i cili në kontaktin e dytë i ka kërkuar dyfishin e parave për dëmshpërblim, pra 40.000.000 lekë.
Sipas "Weblajm", Kosta dhe fqinji janë takuar edhe përballë për të sqaruar çështjen, por nuk kanë rënë dakord. Kështu Selman Totraku nisi me mesazhet dhe telefonatat e tij kërcënuese, ndërkohë, ish-deputeti e ka paralajmëruar disa herë për kallëzim penal. Në datën 23 korrik, Selman Totraku madje ka shkuar në ambientet e zyrës së kompanisë së Vladimir Kostës, duke kërkuar shumën prej 20.000.000 lekësh dhe pas largimit vijoi me kërcënimet. Po këtë ditë, ish-deputeti ka bërë edhe kallëzimin në Policinë e Shtetit, efektivët e të cilëve i organizuan edhe takimin.
Për ta futur në grackë, në mesazhin e fundit, Vladimir Kosta i ka kthyer përgjigje dhe i premtoi se do t'i jepte një pjesë të parave në kantierin e ndërtimit, pra në Sauk. Atje ku u arrestua edhe i riu. Përveç dy kaçavidave që kishte me vete, Policia i ka sekuestruar edhe telefonin të riut, brenda të cilit ishin mesazhet që i dërgoi ish-deputetit, por edhe fotografi të familjarëve të këtij të fundit nga rrjetet e tij sociale./ZËRI