
TIRANË- Detaje të reja janë mësuar lidhur me kërcënimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Vladimir Kosta. Në pranga ka përfunduar një 24-vjeçar, i identifikuar me inicialet S.T., i cili kërcënonte Kostën për t'i marrë para. Kjo pasi pretendonte se biznesmeni i kishte dëmtuar banesën dhe ndaj kërkonte dëmshpërblim duke i dërguar mesazhe shantazhuese në telefon. Gjatë aksioni për arrestimin e tij, të riut i janë gjetur dhe sekuestruar 2 kaçavida
NJOFTIMI I PLOTË:
Tiranë
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë arrestuan shtetasin S. T., 24 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal. Ky shtetas dyshohet se, në vende dhe periudha të ndryshme kohore, ka kanosur një 60-vjeçar për dhënie pasurie, me pretendimin se ky i fundit i ka dëmtuar atij banesën. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy mjete të mprehta (kaçavida), të cilat ju gjetën shtetasit S. T. gjatë kontrollit fizik. Materialet i kaluan Prokurorisë./ZËRI