
TIRANË-Prishet vendimi i dënimit me 5 vite burgim për Nikoll Shërrnikun, njeriun që u akuzua nga prokuroria e Tiranës se ka siguruar kushtet për të kryer ngjarjen e rëndë kriminale në zonën e "Don Boskos", ku mbeti e vrarë banakjerja Mimoza Paja dhe u plagosën 4 të tjerë. Shërniku akuzohet se ka sjellë targat e falsifikuara nga Gjermania, që u përdorën në makinën e autorëve. Vendimi për rrëzimin e dënimit është marë sot nga treshja e gjyqtarëve Edlira Petri, Fatri Islamaj dhe Marsela Pepi, të cilët konstatuan parregullshmëri në gjykim, duke vendosur që çështja të rrikthehet sërisht për rigjykim në shkallë të parë.
Gjykata e Tiranës ka dënuar me një vendim maksimal prej 5 vitesh, Nikoll Shërnikun. Vendimi është marë nga gjyqtarja Enkeleda Dalipi, e cila mesditën e sotme deklaroi fajtor dhe dënoi për akuzën e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje”, Nikoll Shernikun. Gjatë dhënies së vendimit, gjyqtarja e Shkallës së Parë, Enkeleda Dalipi, injoroi kërkesën e prokurorit Ardian Dyrmishi, i cili gjatë leximit të pretencës kërkoi dënimin e Shërnikut me 3 vite burgim. Tashmë vendimi me 5 vjet burg është prishur dhe çështja do rigjykohet për herë të dytë.
Nikolla Sherniku, dyshohet se ka qenë në lidhje shoqërore me Ervis Martinaj. Për të mbërritur tek emri i Nikoll Shërnikut policia dhe prokuroria nuk e kishin të lehtë. Fillimisht nga kontrollet në terren policia zbuloi se targat e përdorura në makinën e vrasësve ishin të regjistruara në emër të një personi nga Kosova. Pas bashkëpunimit me autoritetet kosovare u mor dëshmia e tij, ku tha se targat i kishte çmontuar në një servis në Gjermani pas çregjistrimit. Nga shkëmbimi i letër porosive me Gjermaninë rezultoi se kjo targë i ishte dorëzuar Nikoll Shernikut.
Masakra e Don Boskos
Masakra ndodhi më 12 Mars në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 58 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati./ZËRI